Nga Gëzim KABASHI
Historiani Hajredin Isufi ndërroi jetë sot paradite. 94 vjeç, shkoi i qetë, siç kishte jetuar e punuar gjatë gjithë jetës.
Dy javë më parë në telefon, nuk u ankua për sëmundjen, megjithëse duket e dinte se ishin ditët e fundit.
Ky është një shkrim i hershëm, i disa viteve më parë, që i kushtohet kontributit të tij në fushën e historisë.
Studiuesi Hajredin Isufi nuk është njeriu që mbyllet në arkiva e biblioteka. Vetëm për tu njohur me jetën e Dom Nikollë Kaçorrit, nëkryetarit të Qeverisë së Vlorës, ka bredhur cep më cep të Mirditës. Ai lëviz kudo ku ka shqiptarë.
Prof. Hajredini është një burrë i gjatë dhe i thantë, nga ata të cilëve nuk u kuptohet mosha. Megjithëse jeton në Durrës, një pjesë të mirë të jetës e ka kaluar në arkivat më të rëndësishme të kryeqytetit, pa qenë asnjëherë zyrtarisht punonjës i tyre.
Tashmë 79-vjeçari, autor i qindra artikujv studimorë dhe disa librave historikë, është kthyer në një arkivë lëvizëse dhe kur bisedon me të krijon përshtypjen se po udhëton nëpër histori të vjetra e të reja.
“Ja, këtu ku po rrimë kanë qenë kodra të mëdha rëre, me gjineshtra, gati-gati një xhungël ku kullosnin lopët. Vetëm tek-tuk të zinte syri vila të ndërtuara e të bombarduara gjatë luftës së dytë botërore”-kujton studiuesi nga Çamëria kohën kur kanë mbërritur në plazhin e Durrësit.
“Ne kemi ardhur këtu në vitin 1945, menjëherë pasi grekët na dëbuan nga Çamëria – tregon Hajredin Isufi. Pjesa tjetër u vendosën në Elbasan, Kavajë, Tiranë e Vlorë.
Sipas z. Isufi, të gjithë kërkonin ti largoheshin qyteteve pranë kufirit me Greqinë për shkak të brishtësisë së shtetit shqiptar në atë periudhë.
Një pjesë e madhe e familjeve ndërtuan shtëpitë e tyre, shumë të thjeshta, dhe në këtë zonë që ende quhej Shkozet, komunitetet më të qëndrueshëm qenë çamët dhe gollobordasit. “Këta të dytët kishin si mjeshtëri ndërtimin, ndërsa ne çamët bëmë gjithçka që na vinte për dore, nga puna e hamallëkut në port deri te baçet e blegtoria e vogël”-shprehet studiuesi.
Një numër i madh fotosh, të cilat prof. Hajredini i ruan që prej 40 vjetësh tregojnë se si kanë qenë shtëpitë e çamëve, para se qeveria e atëhershme ti prishte, për ti lënë vend një imazhi të ri, duke e kthyer zonën në një plazh të madh për shqiptarët.
Ndërkohë çamët ishin integruar në jetën e Durrësit, “një qytet i mrekullueshëm”, sipas Hajredin Isufit. “Është e vërtetë që ka patur një luftë të heshtur ndaj çamëve, në kuadër të “Luftës së klasave” që promovonte politika komuniste e kohës, por martesat jashtë komunitetit, profesionet, shkollimi dhe puna kishin bërë të vetën. Çamët nuk ishin më të izoluar – nënvizon studiuesi i nderuar.
Studiues dhe arsimtar
Hajredin Isufi ka nisur të punojë shumë shpejt si mësues. Arsimimi në një institut 2-vjeçar dhe më pas në Universitet në degët “gjuhë-letërsi” dhe “histori-gjeografi” e shtynë atë më shumë drejt të kaluarës së njerëzve të tij.
“Në arkivat e shtetit kam hyrë rastësisht, por qëllimi im i vetëm u bë grumbullimi i materialeve për Çamërinë – kujton prof. Hajredini vitin e largët 1967. Megjithëse zyrtarisht kërkonte materiale arkivore për Durrësin, Hajredin Isufi kishte një synim kryesor: të zbulonte si ishin Çamëria dhe çamët në dokumenta.
“Ndoshta nuk do ti botoja kurrë, por kjo nuk më shqetësonte – thotë prof. Hajredini, ndërsa ndez dhe shuan një pas një cigaret në tavllën e lokalit. Kështu më ndodh kur ndërroj duhanin – qesh ai si përgjigje.
45 vjet pasi ka hyrë për herë të parë në një arkivë shtetërore, Hajredin Isufi ka tashmë në dispozicion materiale të pafund për studim dhe botim.
-Sa kohë duhet për ta qëmtuar atë? “Edhe një jetë tjetër-qesh përsëri prof. Hajredini, duke më treguar disa sekrete të këtij profesioni.
“Dy janë shtyllat themelore për të pasur sukses në këtë punë: së pari, duhet të kesh një rreth të mirë dhe të gjerë shoqëror, dhe kryesorja, kur të ulesh në tavolinën e punës, nuk duhet të çohesh më!
Hajredin Isufi është kategorik në principet e punës në arkivë dhe për të më qartësuar kujton “takimet e para” me raftet e dosjeve dhe dokumentave të pafund. Po aq kategorik është me të vërtetën historike, sa që një pjesë e njerëzve që e njohin e përkufizojnë më shumë se sa “antikonformist”; e cilësojnë “rebel”.
“Pasi kisha punuar si mësues në shkollat e Manzës dhe Durrësit, më kishin dërguar në Rrogozhinë, dhe qyteza ishte ende pjesë e rrethit të Durrësit – vijon ai bisedën.
Duket e çuditshme, por deri kur doli në pension në vitin 1988 Hajredin Isufi ka mbetur mësues në Rrogozhinë, më shumë se 30 km larg nga shtëpia. E sa më keq, dyfishin e kësaj distance nga Tirana, ku shkonte disa herë në javë për të “gërmuar” në arkiva. Futej në ora 7.30 dhe dilte në ora 16.00.
Miqtë historianë
Miqtë që e mbështesnin i kishte siguruar.
Prof. Stefanaq Pollo me familjen ishin mysafirët e tij të stinës së nxehtë në plazh, dhe po kështu Nevila Nika, aktualisht drejtore e Arkivës së Shtetit ishte rritur në verë në oborrin e shtëpisë së plazhit të familjes Isufi.
“Në fillim kam punuar në të gjitha arkivat shtetërore të Tiranës, përveç asaj të Ministrisë së Brendshme, ku para viteve 1990 ishte e pamundur të afroheshe – dëshmon prof. Hajredini.
Në arkiv lejohet të hysh vetëm me një laps dhe një bllok, i cili më pas kontrollohet nga punonjësit. Është një procedurë me të cilën nuk mësohesh kurrë, njëlloj si me faktin që nga një dosje mund të shohësh vetëm 10 përqind të materialit. Por, sipas tij, dashuria për profesionin vlen më shumë se talenti.
“E di se ç‘do të thotë, të shohësh vetëm një të dhjetën e një materiali dhe pjesën tjetër ta ëndërrosh”.
Hajredin Isufi më përsërit këshillën – postulat që i ka dhënë vite më parë prof. Kristo Frashëri: “Merr në arkiva gjithçka të del përpara”. Nga ana tjetër prof. Stefanaq Pollo do ti krijonte mundësinë të fotokopjonte qindra faqe me historinë e Durrësit dhe të Çamërisë, që përbënin qëllimet zyrtare dhe shpirtërore të Hajredin Isufit.
Kështu ka lindur monografia për Dom Nikoll Kaçorri “Feja dhe Flamuri” (Shtypshkronja “Pegi” 2008).
“Figura e Dom Nikollë Kaçorrit në studimin e Hajredin Isufit është vështruar brenda një kohe që ndryshonte me shpejtësi të mahnitshme, në kontekste historike me larmi të pabesueshme, brenda ekuacionesh politike thuajse krejtësisht të panjohura, në një galeri personazhesh që as në botime enciklopedike nuk mund ti gjesh, secili me fytyrën dhe individualitetin e vet”. Kështu shkruan prof. dr. Shaban Sinani, reçensent i monografisë me 516 faqe.
Përveç monografisë për klerikun, patriotin dhe nënkryetarin e Qeverisë së parë shqiptare, Dom Nikollë Kaçorri, që nga viti 2002 Hajredin Isufi ka botuar monografinë “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947”, Tiranë 2002, “Çamëria, studime historike-sociologjike”, Tiranë 2006 ; “Çështja Çame dhe integrimi evropian”, Tiranë 2005 (bashkëautor), etj.
Së fundi, studiuesi i njohur ka botuar një libër për Margëlliçin, i cili do të pasohet edhe me studimet për dy kryeqendrat e tjera të çamërisë. Një libër tjetër po merr trajtë përfundimtare dhe i kushtohet Luftës së dytë botërore në Shqipëri.
“Libri bazohet mbi dokumenta dhe do të nxjerrë në shesh mëkatet dhe meritat që historia ua fakton të gjithëve – thotë prof. Hajredini, teksa më tregon për atë që ka më për zemër, një album me foto të Çamërisë. “Është një album fotografik, që tregon shtëpitë dhe vendet tona, si janë dhe si kanë qenë”. Ka qenë një ëndërr e vjetër e studiuesit, të cilën shpreson ta shohë shpejt të realizuar.
Mbrëmja ka ardhur. Kalojmë matanë rrugës së plazhit ku makinat nuk lenë radhë dhe e shoh profesorin e nderuar që shkon drejt banesës së tij me kopësht, atje ku e pret dhoma që i shërben si studio; ku në verë dëgjohet fëshfërima e plepave, ndërsa në dimër uturima e zjarrit në oxhak.





