Durrësi mirëpret një tjetër event të rëndësishëm ndërkombëtar! “Dyrrachium International Theater Festival” vjen në Durrës këtë muaj nga datat 15 – 25 shtator, duke sjellë artistë dhe shfaqje teatrore, në disa prej hapësirave më të veçanta të qytetit.
Lajmin e jep kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako në rrjetet sociale, e cila thotë se ky festival e kthen trashëgiminë kulturore të qytetit në një hapësirë të gjallë komunikimi artistik.
“Një qytet me mijëra vite histori, që vijon të jetë një pikëtakim i kulturës, artit dhe dialogut. Në Amfiteatrin Antik dhe në Muzeun Etnografik të Durrësit, historia do të takohet me teatrin në një festival të ri ndërkombëtar“, shkruan Sako.
Kjo është hera e parë që mbahet ky festival dhe pritet që në ditët në vijim të prezantohet edhe programi zyrtar i edicionit të parë!





