Një situatë e rënduar regjistrohet prej kohësh në një pallat shumëkatësh në rrugën “Bajram Curri”, në zonën e plazhit të Durrësit.

Sipas banorëve, një subjekt privat, që tregton fruta-perime, ka zënë hapësirën e përbashkët duke ngushtuar në mënyrë të konsiderueshme rrugën për qytetarët. Po sipas të njëjtit burim, subjekti privat ka bërë ndërtim të paligjshëm aty.

“Pershendetje jam nje qytetar i Durresit jetoj ne plazh, lagja 13 ne Hekurudha pran stazionit plazhit ngjit me posten pallati jeshil vija e pare e rruges ku te gjith turistet i bojnë foto nga pislliqet. Ky individ ka ber ndertim t paligjshem dhe ka zon rrugen e pallatit nuk kemi ku kalojm, ju lutem merrni masa flm”,- shkruan qytetari në denoncimin e tij.

Shqetësimi është përcjellë edhe pranë Policisë Bashkiake, që disa ditë më parë (më 4 shtator) ka marrë masë administrative (5000 lekë) ndaj subjektit në fjalë për zënien e hapësirës së përbashkët, pa u pajisur me leje nga bashkia Durrës

Në të njëjtën kohë, efektivët e Policisë Bashkiake kanë mbajtur edhe një proceverbal konstatimi, në të cilin shkruhet se i është kërkuar “pronarit të subjektit të marrë masa të menjëhershme për lirimin e hapësirës së përbashkët të pallatit. Në rast të kundërt do të merren masa të mëtejshme nga organet kompetente”,- shkruhet ndër të tjera në procesverbal.  

Pavarësisht masës administrative dhe procesverbalit të konstatimit, zënia e hapësirave të përbashkëta të pallatit, vijon, siç e dëshmon dhe videoja që ka mbërritur sot pranë redaksisë sonë.

Në video, qytetari ankohet se për shkak të situatës së rënduar që vijon prej kohësh dhe ndotjes që krijohet aty, janë bërë për të shitur shtëpinë, sepse nuk shohin zgjidhje tjetër, përsa kohë problematika nuk gjen zgjidhje.

“Këtu jemi tek dalja e pallatit, shihni çfarë bëhet… Ka zënë rrugën, ka zaptuar vendin… Është një turp i madh! Jemi bo me shit shpinë o vlla! Kanë bërë punime abuzive, shihni ça është bërë, ka zënë rrugën e pallatit. Nuk ke as parkim, asgjë. Nuk ke ku kalon se ka zënë edhe rrugën”,- thotë qytetari në video.

M.B.