Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Ndroq gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia e Shtetit. D. H., banues në Tiranë, kërkohej nga Italia për disa vepra penale, ndërsa tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, të zhvilluar nga specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
33-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi autoritetet gjyqësore italiane, më 31 korrik 2026, kishin caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Në Itali, D. H. kërkohet për veprat penale “vrasja”, e mbetur në tentativë, “plagosja”, “shkatërrimi i pronës”, “kundërshtimi i arrestimit” dhe “kundërshtimi i punonjësit të policisë gjatë ushtrimit të detyrës”.
Sipas Policisë, lokalizimi i 33-vjeçarit u bë në kuadër të bashkëpunimit informativ dhe operacional mes Interpol Tiranës dhe homologëve italianë, me qëllim gjetjen dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 33-vjeçarit drejt Italisë.





