Prezantohet sot në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, kreu i ri i këtij institucioni.

Në drejtim të këtij institucioni, aq të përfolur muajt e fundit, për shkak të skandalit të vjedhjes së 69 milionë lekëve të rinj, do të vendoset ish-deputeti socialist Alban Xhelili.

Xhelili mbajti mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën parlamentare 2021 – 2025.

Me profesion ekspert kontabël i miratuar, Xhelili vihet në drejtimin e Postës në një moment, kur institucioni që ofron një gamë të madhe shërbimesh përballet me vështirësi përsa i përket likujditeteve për shpërndarjen e pensioneve, ndihmës ekonomike etj.

Nuk kanë qenë të pakta rastet gjatë muajve të fundit, kur pensionistët janë detyruar të presin disa orë ose të shkojnë disa ditë me radhë pranë filialeve të Postës në Durrës për të tërhequr pensionet.

Në muajin korrik, filiali i Postës së Durrësit u përfshi nga një skandal financiar për të cilin u akuzuan drejtoresha Elizabeta Mataj, shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana.

Hetimet për zbardhjen e përgjegjësisë për këtë skandal vijojnë, ndërkohë që ish-drejtoresha Mataj është në burg, ndërsa për dy punonjëset e tjera të Postës gjykatat kanë dhënë masë më të lehtë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Po kush është drejtori i ri i Postës Durrës?

Z. Alban Xhelili ka lindur në Durres, më 23 Gusht 1972.
Prej vitit 2003 e deri sot ka ushtruar profesionin e Kontabilistit te Miratuar dhe Audituesit Ligjor (Ekspert Kontabel).

Nga viti 1995 e deri ne vitin 2003 ka ushtruar detyren e Drejtorit Ekonomik ne subjekte private.
Përsa i përket fushës akademike dhe profesionale, z. Xhelili ka qenë i përfshirë në studime dhe publikime kërkimore, analiza ne fushen e Financave dhe Kontabilitetit, pjesemarje ne konferenca nderkombetare dhe kombetare, si edhe Pedagog i jashtem prane Universitetit Aleksander Moisiu, Durres.
Studimet e larta z. Xhelili i ka përfunduar në Universitetin e Tiranes, Fakulteti Ekonomik, Dega Finance, Profili Kontabilitet.

Në shtator të vitit 2021 z. Xhelili mori mandatin e Deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.
Z. Xhelili është i martuar dhe ka dy fëmijë.

M.B.