Në mbledhjen e nesërme që do zhvillojë Këshilli Bashkiak Durrës, një nga pikat kryesore është shqyrtimi dhe miratimi i projektvendimit: “Për miratimin e masës së grantit të rikonstruksionit ose riparimit për nivelin e dëmit DS1, DS2 dhe DS3, për banesat e dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019 në qytetin e Durrësit”.

“DurrësLajm” mëson se në ndryshim nga vendimi i marrë më 12 maj në mbledhjen e KB, metodologjia e dëmshpërblimit të banorëve që kanë aplikuar në platformën “Shtëpia ime” do të ndryshojë.

Burime nga bashkia bëjnë me dije se secili aplikues me dëme në banesë në nivelin DS1, DS2 dhe DS3 do të përfitojë maksimumin e vlerës së dëmshpërblimit.

Nëse më 12 maj, u vendos që dëmshpërblimi të varej nga siperfaqja prej metrash katrorë e banesës dhe kati ku ndodhej, tanimë kjo mënyrë përllogaritjeje bie poshtë.

Qeveria Rama pati miratuar me një VKM të veçantë se vlera e dëmshpërblimit që do të përfitonin banorët me dëme DS1, DS2 dhe DS3 në banesë do të ishte:

DS1: 100 mijë lekë të rinj

DS2: 250 mijë lekë të rinj

DS3: 500 mijë lekë të rinj

Qeveria ia kaloi për kompetencë Këshillit Bashkiak përcaktimin e vlerës së dëmshpërblimit. Bashkia vendosi kështu që banorët që janë dëmtuar të marrin maksimumin e vlerës, ndërsa lista e banorëve përfitues nuk është ende gati, pasi po përgatitet nga Drejtoria e Rindërtimit.