Në nisje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Durrës, këshilltari Dritan Burgija kërkoi fjalën për të lexuar një deklaratë të tij lidhur jo vetëm me qëndrimin për pikat e rendit të ditës, që do të diskutoheshin sot në mbledhje, por edhe për të bërë një rezyme të qëndrimeve të tij të mëparshme në mbledhjet e Këshillit lidhur me projektvendime të ndryshme që lidheshin me rindërtimin, ndihmën ekonomike dhe shumë çështje të tjera.

Në këtë mbledhje të parë të Këshillit, pas ndërprerjes një mujore për shkak të pushimeve verore, Burgija hodhi hije dyshimi për një marrëveshje ortakërie, mes dy partive të mëdha, PS dhe PD.

“Mandati im buron nga vota e qytetarëve dhe do ta përdor edhe kur dy parti ortake bëhen bashkë për të na mbyllur gojën!”,- tha ndër të tjera Burgija, ndërsa më pas u largua në mënyrë demostrative nga salla.

Pas largimit të tij e mori fjalën kreu i grupit të PD-së Ardian Muka, i cili hodhi poshtë mundësinë e bashkëpunimit të forcës së tij politike me maxhorancën.

Kujtojmë se Dritan Burgija dhe Arlind Boshku u përjashtuan nga Partia Demokratike muaj më parë, ndërsa posti që mbante Burgija si kreu i grupit të këshilltarëve të PD iu kalua Ardian Mukës.

M.B.