Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Durrës, një nga projektvendimet e sjella për miratim nga administrata e bashkisë kishte të bënte me shtimin me 20 punonjës të stafit të Policisë Bashkiake.

Siç shpjegoi kryebashkiakja Emiriana Sako, shtimi i numrit të policëve bashkiakë lidhet kryesisht me hyrjen në fuqi të projektit për vendparkimet me pagesë në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit.

Shtimi i numrit të policëve bashkiakë ka qenë një kërkesë e kahershme e kësaj policie, që përgjatë viteve ka kërkuar dyfishimin e numrit aktual të punonjësve, që ka në organikë, nga 80 në 160 punonjës.  

Shtimi i numrit vetëm me 20 punonjës është konsideruar i pamjaftueshëm nga këshilltarët që morën fjalën në mbledhje, të cilët nënvizuan se fakti që bashkia Durrës ka një shtrirje shumë të gjerë, ka një vijë të gjatë bregdetare që duhet monitoruar përgjatë gjithë sezonit turistik, kur popullsia dyfishohet ejt duhet të përkthehet me një numër më të madh policësh bashkiakë në terren.

Gjatë fjalës së tyre, këshilltarët Flutura Kasa, Luan Nezha dhe Ardian Muka, duke folur në emër të grupeve të këshilltarëve që përfaqësojnë kërkuan shtim real të numrit të policëve bashkiakë për t’u mundësuar qytetarëve marrjen e shërbimeve të nevojshme që kjo polici duhet të ofrojë në komunitet.

Ndërsa këshilltari Nezha nënvizoi se Policia Bashkiake mungon në njësitë administrative si Sukth, Manzë dhe Ishëm, këshilltari Lesh Çuni e kundërshtoi këtë fakt duke thënë se “në Manzë Policia Bashkiake është herë pas here e pranishme”.

Ky projektvendim u miratua me 29 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim.

M.B.