Vllaznia – Teuta do të jetë ndeshja që do të “çelë” siparin e javës së pestë në “Abissnet Superiore”. Shkodranët presin në “Loro Boriçi” durrsakët, me sfidën që do të nisë prej orës 18:30. Kuqeblutë gëzojnë një ecuri të dobët. Momentalisht ekipi i Edi Martinit pasqyron këto statistika: vendi i fundit në klasifikim, vetëm 2 pikë në total dhe golavarazh problematik, 5 të shënuar dhe 8 të pësuar.
Në anën tjetër, Teuta e Edlir Tetovës ka nisur të jetë e frikshme për rivalët dhe jo më kot ndodhet në krye të renditjes pas katër javëve të para me 10 pikë në total.
Edhe golavarazhin ndihmon “Djemtë e Detit”, 8 me 2. Statistika mbresëlënëse për një skuadër që ka identitetin e duhur për të qenë pretendente për titull. Paralelisht në fushë, do të vihen përballë dy skuadrat me statistika krejtësisht të kundërta; sulmi i dytë më i mirë në Superiore dhe mbrojtja e dytë më e dobët. Ekipi i Tetovës është kthyer në “vrarëse” para portës. Një “malore” për Vllazninë që në mesin e shumë problemeve që ekzistojnë, i duhet t’i vë “kapakun” edhe prapavijës.





