Më datë 25 shtator, duke filluar nga ora 17:00, qyteti bregdetar i Durrësit do të kthehet në një qendër të hapur të dijes, inovacionit dhe komunikimit shkencor. Në kuadër të projektit evropian “Digital Bridges: Science, Media, Society (DiBS)” (Grant Agreement Nr. 101305420), financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit HORIZON-MSCA-2025-CITIZENS-01, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) organizon edicionin e sivjetshëm të Natës Evropiane të Kërkuesve Shkencorë (European Researchers’ Night – ERN).
Ura lidhëse mes shkencës dhe qytetarëve te Sfinksi
Ngjarja kryesore qendrore do të mbledhë studiues, të rinj, studentë dhe familjarë në një nga pikat më të njohura dhe panoramike të qytetit – te Sfinksi, shëtitorja “Taulantia”. Ky aktivitet ka për qëllim kryesor të krijojë ura lidhëse të forta mes botës akademike dhe komunitetit, duke e transmetuar shkencën në mënyrën më të bukur, interaktive dhe të prekshme për të gjitha moshat. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin eksperimente drejtpërdrejt, demonstrime teknologjike dhe biseda të hapura me shkencëtarët.
Shkenca shkon përtej qendrave universitare: Eventet në Rrëshen, Shënvlash dhe Shkozet
Në përputhje me filozofinë e projektit DiBS për gjithëpërfshirje dhe shtrirje në komunitetet më pak të ekspozuara ndaj infrastrukturës kërkimore, UAMD paralelisht do të shtrijë festën e shkencës edhe në tri zona të tjera:
- Shijak
- Shënvlash
- Shkozet
Këto iniciativa lokale u japin fëmijëve dhe nxënësve të shkollave mundësinë të njohin kërkuesit shkencorë nga afër dhe të përjetojnë përvojën e zbulimit shkencor drejtpërdrejt në komunitetet e tyre.
Një lëvizje mbarëkombëtare dhe evropiane
Nata Evropiane e Kërkuesve Shkencorë zhvillohet njëkohësisht në qindra qytete të Bashkimit Evropian dhe rajonit. Në Shqipëri, si partner kyç i konsorciumit DiBS, Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT) do të zhvillojë paralelisht programin e tij të pasur shkencor. UPT do të mirëpresë qytetarët në ERN qendrore në Tiranë pranë ambienteve të universitetit, si dhe në tre evente lokale në Korcë, Lushnjë dhe Vlorë.
Aktivitetet janë të hapura për të gjithë qytetarët, fëmijët dhe apasionuarit pas dijes më 25 shtator, duke nisur nga ora 17:00, për të zbuluar së bashku se si shkenca përmirëson jetën tonë të përditshme.





