Operacioni i RENEA-s, i zhvilluar mëngjesin e sotëm në zonën e Shkozetit, është shoqëruar me një incident që ka përfshirë korrespondenten nga Durrësi të Syri Televizion.

Përmes një statusi në rrjete sociale, gazetarja Albana Aliaj thotë se për herë të parë në këto 10 vite që ushtron profesionin ka provuar ndjenjën e frikës, ndërsa ishte duke filmuar momente nga operacioni policor. Sipas saj, pamjet që kishte filmuar me telefonin e saj u fshinë nga efektivët e maskuar, ndërsa është kërcënuar se do të prangosej.

“10 vite gazetari. Sot, për herë të parë, pata frikë.

Jo nga ajo që po filmoja, por nga ata që duhej të garantonin sigurinë.

Po filmoja një operacion policor kur efektivë të armatosur dhe me kapuça më rrethuan makinën. Më morën telefonin. U kërcënova me pranga nëse nuk bindesha, ndërsa videot që kisha filmuar po fshiheshin.

Dhe në atë sekondë mendova vetëm për fëmijën tim 9-muajsh që më priste në shtëpi.

Telefonin e dorëzova. Frikën e përjetova. Por të vërtetën nuk do ta dorëzoj”,- shkruan ndër të tjera gazetarja Aliaj.

Njëkohësisht ajo paralajmëron se do të kërkojë hetim dhe përgjegjësi për incidentin e sotëm, pasi thekson se gazetaria nuk mund të vihet në pranga.

“Uniforma nuk është mbi ligjin.

Kamera ime nuk është krim.

Dhe gazetaria nuk vihet në pranga.

Për atë që ndodhi do të kërkoj përgjegjësi dhe hetim.

Sot mund të më trembën. Nesër do të flas edhe më fort”,- shkruan Aliaj.