Rita Ora nuk pritet të jetë pjesë e edicionit të këtij viti të “Akordeve të Kosovës”, pavarësisht bisedimeve të zhvilluara me menaxhmentin e saj për një paraqitje si e ftuar speciale në Prishtinë.

Sipas Zeri.info, negociatat nuk kanë përfunduar me marrëveshje, për shkak të kostos së lartë të angazhimit të artistes, e cila ka tejkaluar buxhetin e festivalit. Organizatorët kishin shqyrtuar edhe mundësinë që ajo të udhëtonte me staf më të reduktuar, por edhe kjo alternativë nuk u realizua.

Drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, ka konfirmuar se kishte insistuar në kontaktet me familjen e këngëtares, por kërkesat financiare ishin përtej mundësive të festivalit.

Ndërkohë, RTK ka siguruar 1.2 milionë euro nga Ministria e Kulturës për tre vjet, përkatësisht 400 mijë euro në vit, për organizimin e “Akordeve të Kosovës”. Pavarësisht ndryshimit të emrit, rregullorja e festivalit mbetet e njëjtë me atë të Festivalit të Këngës në RTK.