“Çdo lule ruan një copëz Shqipërie!”

Me këtë moto dhe me pasionin që e karakterizon si artizane për të sjellë çdo herë krijime origjinale, Ezmerina Kasa e ka shndërruar ambientin e saj të punës në një kopësht me lule.

Një udhëtim turistik në veri të vendit shërbeu për t’i dhënë jetë këtij projekti të ri, ku janë derdhur qindra orë punëdore me grep dhe që mban emrin Lulzana.

“Duke bërë një udhëtim bashkë me tim shoq në veri të vendit një banor i zonës po na tregonte për një lule të veçantë, që rritej vetëm aty dhe quhet tulipani shqiptar. Ai rritet vetëm tek ne dhe në asnjë vend tjetër të botës. Kjo na bëri që të hulumtonim më thellë se cilat lule të yjera janë endemike shqiptare. Kështu lindi ideja për të bërë Lulzanën”,– thotë Kasa për “DurrësLajm”.

Ajo që i bën edhe më të veçanta krijimet e Ezmerinës, është përkushtimi i saj deri në detajet më të imta për të nxjerrë jo thjesht një lule, por për të realizuar një pjesëz të vogël nga diversiteti i florës shqiptare, për të cilën ka bërë hulumtime të shumta. 

“Jo vetëm të thurim disa lule, por të thurim disa lule, ku secila prej tyre të ketë një copëz Shqipërie, një copëz nga krahina jonë, nga kujtimet dhe nostalgjia jonë. Kam bërë lule të krahinave të ndryshme si trëndafili i Përmetit, Irisi ilir, zambaku shqiptar, lulja e gurit, e basanit etj. Këto janë lule endemike shqiptare, që nuk gjenden në vende të tjera”. Sfiduese ishte jo vetëm për të sjellë formën, ngjyrën, por më shumë për të ruajtur origjinalitetin e lules”.

Mes morisë së tulipanëve, Irisit ilir, zambakëve, lulëkuqeve, manushaqeve, lules së basanit e shumë të tjerave, gjithkush mund të zgjedhë të preferuarën e tij për ta dhuruar apo për ta shtuar si dekor në shtëpi, tryezën e punës etj.

Ezmerina nuk ka menduar vetëm për shqiptarët, por edhe turistët e huaj, të cilët mund të marrin në formën e një suveniri një lule shqiptare. Ndërsa për më të vegjlit, krahas luleve në buqetë mund të vijnë edhe personazhet e dashur të filmave vizatimorë.

Për t’u njohur nga afër me projektin Lulzana, për të bërë porosi, apo për të zgjedhur lulen apo buqetën e preferuar ju mund të eksploroni website-n www.lulzana.al, ose faqen e instagramit lulzana.al.

M.B.