Mijëra qytetarë janë mbledhur sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në një tubim në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sheshi është mbushur me pjesëmarrës, të cilët kanë dalë për të kundërshtuar vendimin e gjykatës në Hagë, me të cilin katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim.
Protesta të ngjashme kundër vendimit janë zhvilluar gjatë ditës edhe në Shkup. Tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë mbajtur gjithashtu në qytete të ndryshme jashtë Kosovës, përfshirë Melburnin në Australi, Oslon në Norvegji dhe Gjenevën në Zvicër.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, edhe tifo-grupet kanë zhvilluar protestë në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.





