Kryebashkiaku Erion Veliaj nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që pritet të mbahet sot në orën 15:00.
Ka qenë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që nuk ka pranuar t’i japë lejen e posaçme Veliajt për të qenë pjesë e mbledhjes, fizikisht ose me lidhje online ku pritet të shyqrtohet drafti ligjor për ndarjen e re Administrativo – Territoriale.
Në kërkesë thuhej se pjesëmarrja e kryetarit lidhet edhe me shqyrtimin e çështjeve të administrimit të Tiranës dhe projektligjit për ndarjen administrativo-territoriale.
Bashkia e Tiranës nuk pëson ndryshim thelbësor me hartën e re administrativo-territoriale, por merr një nga zonat me potencialin më të madh ekonomik, Rinasin. Sipas propozimit të socialistëve Rinasi se bashku me fshatrat Domje e Bërxullë do të përbëjnë një njësi të re administrative që i bashkohet bashkisë së kryeqytetit.
Kujtojmë se kryebashkiaku, nga qelia ndërmori disa shkarkime të rëndësishme në Bashkinë e Tiranës. Ai shkarkoi kryetaren e komanduar Anuela Ristanin, pasi kjo e fundit refuzonte të zbatonte urdhrat e Veliajt.
Po ashtu, Veliaj shkarkoi edhe Blendi Sulajn. Ky veprim erdhi në kuadër të një sërë ndryshimesh rrënjësore në bashki, që iu hap rruga me tërheqjen e delegimit të kompetencave Anuela Ristanit. Veliaj komandoi në postin e Sekretarit të Përgjithshëm Alban Dokushin pas dorëheqjes së Eldi Hoxhës. Përveç Ristanit, nga detyra u largua dhe shefja e Kabinetit Blerina Beshku.
Nga paraburgimi, Veliaj firmosi dhe listëpagesat si dhe miratoi fondin shtesë për kopshtet dhe çerdhet në Tiranë. Kryebashkiaku firmosi dhe fondet për vijimin e aboneve falas të transportit publik për pensionistët e Tiranës.
Kryebashkiaku Veliaj u arrestua me kërkesë të SPAK më 10 shkurt 2025. Kompetencat e kryetarit i kaluan Anuela Ristanit, për t’i tërhequr përfundimisht më 28 gusht të këtij viti.





