Eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj ka ngritur shqetësimin për një listë të publikuar me më shumë se 700 numra telefoni, që sipas tij pretendohet se i përkasin SHISH-it dhe lidhen me një kontratë të vitit 2022.

Në “Minuta e Parë”, Semanaj tha se dokumenti nuk është përgënjeshtruar deri tani dhe se, nëse lista rezulton autentike, mund të jetë cenuar identiteti i personave që punojnë ose bashkëpunojnë me shërbimin informativ, përfshirë edhe individë që operojnë në terren.

Semanaj theksoi se SHISH duhet të verifikojë urgjentisht të dhënat e publikuara dhe të përcaktojë se çfarë informacioni është komprometuar. Sipas tij, personat që mund të identifikohen duhet të mbrohen dhe, në rast komprometimi, të ndërmerren masa për krijimin e një rrjeti të ri operacional.

Semanaj: Kemi një kontratë të Vodafone që është hakeruar nga Homeland Justice. E vitit 2022. Janë të gjithë numra dhe kontraktuesi është SHISH. Nuk është përgënjeshtruar deri më tani. Deklarohet se janë numrat e SHISH të atij viti.

Është një çështje e rëndësishme se vë në rrezik e atyre zonjave dhe zotërinjve që punojnë në atë institucion. Nuk kemi një përgënjeshtrim. Asnjëherë nuk u pranua hakerimi i famshëm. Është me vulën e kompanisë, është një faturë e rregullt. Mungon përgënjeshtrimi.

Po flasim për mbi 700 numra. Në momentin që i kombinon me të dhënat e qytetarëve, del identiteti i personave. Shumë gazetarë e kanë provuar me true caller ku del emër mbiemri i personave. Nuk po flasim për punojnës të SHISH që janë publik. Po flasim për 750 persona që mund të jenë edhe në terren. Nëse lista vërtetohet që është e saktë, i gjithë zinxhiri i agjentëve në terren ka rënë. Janë dekonspiruar.

Nga lista del se ka persona edhe kamarierë, shoferë. Imagjinoni sa në rrezik janë ata persona. Kur është arrestuar dikë, një person del si ai që çoi indiciet te organet ligjzbatuese. Janë prerë në besë nga ata që duhet të ruanin të dhënat e tyre. Nuk dimë, hakerat nxorën një listë të SHISH, nesër mund të na dalë e policisë së shtetit, ushtrisë. Nuk na tregohet ende se çfarë ka humbur shteti shqiptar. për sa i përket botës së krimit, një numër telefoni të jep shumë informacion. Një pjesë e madhe aty mund të verifikohen.

Me aplikacione falas, mjaft të klikohet te databaza e rrogave, taksave, patronazhistave që është e saktë. Dhe një person të cenohej do ishte skandal. SHISH minimalisht duhet të bëjë një kontroll online, në databazat që kanë rrjedhur. Të gjithë ato persona që mund të identifikohen nga kjo listë bazuar dhe në punën e tyre duhet të mbrohen dhe të nisin nga puna për një rrjet të ri. Ky rrjet është kompromentuar. Po flasim për investim 10-ra vjeçarë.