Teuta, kryesuese e Kategorisë Superiore, dhe Kukësi kanë menduar ta mbyllin fundjavën me një ndeshje miqësore. Dy skuadrat do të përballen të shtunën, më 3 tetor, në orën 18:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. “Djemtë e Detit” po vijojnë përgatitjet me intensitet të lartë, teksa fokusi kryesor mbetet sfida e javës së gjashtë të kampionatit ndaj Skënderbeut, që do ta presin në shtëpi më 10 tetor.

Nga ana tjetër, pas testit me Teutën, Kukësin e pret një kalendar i ngjeshur, me dy ndeshje brenda javës së ardhshme. Të mërkurën, më 7 tetor, verilindorët do të luajnë në turin e parë të Kupës së Shqipërisë.

Miqësorja me Kukësin do t’i shërbejë trajnerit Tetova për të mbajtur në ritëm lojtarët dhe për të testuar elementë të ndryshëm të skuadrës përpara sfidave zyrtare.