Ditën e martë, 26 maj, mbushen plot 6 muaj nga tërmeti i fund nëntorit të vitit të kaluar, që la pas shkatërrime të shumta në Durrës.
Edhe 6 muaj pas tërmetit, pasojat janë mjaft të dukshme në të gjithë qytetin bregdetar. Banorët janë në pritje të programit të Rindërtimit, ndërsa, ende, shumë prej tyre nuk e kanë të qartë se çfarë do të ndodhë me pallatet e dëmtuara rëndë.
Dy javë më parë, Këshilli Bashkiak miratoi metodologjinë e dëmshpërblimit që do të përfitojnë qytetarët, banesat e të cilëve kanë dëmtime të nivelit DS1, DS2 dhe DS3.
Por në ç’fazë është procesi tani, kur do të nisë dëmshpërblimi i familjeve, një pjesë e të cilave i kanë riparuar vetë dëmet e pësuara në banesë?
Në një intervistë për DurrësLajm, nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri deklaron se aktualisht puna është përqendruar në bashkëpunimin e ngushtë me ASHK-në për të bërë të gjitha verifikimet përkatëse për pronat e qytetarëve që aplikuan online në “Shtëpia ime” në muajin shkurt.
“Ne kemi gjithë sektorin tonë të Rindërtimit që është duke u marrë me këto dosje. Jemi në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, të cilës i kemi dërguar listën për pronat e qytetarëve aplikues dhe më pas ky institucion na përcjell listën me pronësinë dhe sipërfaqen e secilës banesë. Sikurse dihet, dëmshpërblimi i qytetarëve do të bëhet mbi bazën e sipërfaqes në m2 të çdo apartamenti”,- deklaron Tahiri.
Në Durrës është fenomen i njohur që një pjesë e mirë e pallateve shumëkatëshe nuk kanë hipotekë. Në këto raste, për banorët e dëmtuar, do të merren për bazë kontratat e sipërmarrjes për të përllogaritur dëmshpërblimin.
Në mbledhjen e datës 12 maj, Këshilli Bashkiak miratoi mënyrën e përllogaritjes të vlerës mesatare të dëmshpërblimit për dëmtimet e nivelit DS1, DS2 dhe DS3. Në bazë të vendimit të KB-së, vlera e dëmshpërblimit do të jetë si më poshtë:
- Miratimin e përllogaritjes së vlerës mesatare të masës së grantit të rikonstruksionit ose riparimit për nivelin e dëmit DS 1= 750 lekë/ m2.
- Miratimin e përllogaritjes së vlerës mesatare të masës së grantit të rikonstruksionit ose riparimit për nivelin e dëmit DS 2= 2000 lekë/ m2.
- Miratimin e përllogaritjes së vlerës mesatare të masës së grantit të rikonstruksionit ose riparimit për nivelin e dëmit DS 3= 4000 lekë/ m2.
Por, përveç sipërfaqes së apartamentit, vlera e dëmshpërblimit do të varet edhe nga kati i banesës.
- Nga kati zero (Kuota e ashensorit) deri në katin e pestë teknik marrin 100% të vlerës së grantit.
- Nga kati i gjashtë teknik e sipër marrin 60% të vlerës së grantit.
Nënkryetari Tahiri bën të ditur se aktualisht është duke u punuar me listën dhe shumë shpejt ajo pritet të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak.
“Shumë shpejt, në momentin që lista do të jetë gati do të kalojë në Këshillin Bashkiak që të miratohet me vlerën përkatëse që do të përfitojë çdo qytetar aplikues që ka dëmtime në banesë DS1, DS2 dhe DS3”,– thotë Tahiri.
Nga aplikimi online “Shtëpia ime” në Durrës u krijuan rreth 12.500 dosje banesash të dëmtuara nga tërmeti, banorët e të cilëve janë në pritje të dëmshpërblimit nga qeveria.
Me një VKM, qeveria Rama miratoi shumën e dëmshpërblimit, që për banesat me dëmtime DS1 do të jetë 100.000 lekë, për banesat me dëmtime DS2 do të jetë 250.000 lekë dhe për banesat me dëmtime DS3 do të jetë 500.000 lekë.
Ndërkohë, kompetenca për të përcaktuar vlerën reale të dëmshpërblimit, i kalon këshillave bashkiakë të qyteteve që u dëmtuan nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019.
M.B.





