Është mbledhur sot për herë të parë Kuvendi, pas masave kufizuese të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në një seancë në kushte ekstreme, në fjalën e tij, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave të COVID-19, ndërsa falënderoi mjekët dhe forcat e policisë që po luftojnë në vijën e parë me koronavirusin.
Ruçi u shpreh se COVID-q9 i goditi të gjitha vendet me sa mundi, ndërsa shtoi se fitorja nuk varet nga pasuria e një vendi, por nga thellësia dhe shpejtësia e masave kufizuese.
“Rrallë ndodh që një vend brenda një viti të përballojë dy gjendje të jashtëzakonshme. Pavarësisht konflikteve që përfshinë vendin nga politika, shqiptarët kanë ruajtuar të pacënuar virtytin e tyre. Kuvendi ka vijuar punën në formën e imponuar nga kjo epidemi. Konferenca e kryetarëve kanë funksionuar nëpërmjet shërbimit elektronik.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua t’i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe i uroj shërim sa më të shpejtë të sëmurëve. Mirënjohje për mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të betejës dhe po shpëtojnë qindra jetë qytetarësh. Mirënjohje për Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, anëtarët e të cilave po kontribuojnë për shpëtimin e jetëve, po kështu mirënjohje për gazetarët dhe kameramanët e terrenit.
Të gjithë qytetarët, sidomos të moshuarit meritojnë mirënjohje të veçantë dhe i bëjmë thirrje si Kuvend të vazhdojnë të luftojnë për të dalë me sa më pak viktima nga kjo pandemi. Sa më drastike të jenë masat dhe sa më shumë, t’i zbatojnë qytetarët këto masa, aq më shpejt do të dalim nga kjo situatë”, tha Ruçi.
Të gjitha vendet u gjetën të papërgatitura për të përballuar këtë epidemi. koronavirusi i dha vendeve një mësim që duhet ta dëgjojmë me kujdes. Ekonomitë prodhuese dhe ndotësit më të mëdhenj të natyrës, përfitonin më shumë nga efektet dhe goditeshin më pak prej saj, ndërsa vendet e vogla, si vendi ynë, përfitojnë më pak dhe vuajnë më shumë, por koronavirusi i goditi të gjithë njëkohësisht dhe fitorja ndaj tij varet nga shpejtësia dhe thellësia e masave mbrojtëse“, tha Ruçi.





