Ndërsa Shqipëria diskuton ashpërsimin e masave të Kodit Penal për qytetarët që shkelin masat e karantinës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer u shpreh i shqetësuar për kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut gjatë periudhës së pandemisë. Duke folur për Zërin e Amerikës, ai iu bëri thirrje qeverive që të veprojnë me kujdes ndërsa marrin vendime që prekin të drejtat e qytetarëve.

Palmer sugjeroi se masat duhet të jenë proporcionale dhe të përkohshme, dhe shpresoi se ato do të hiqen në fund të pandemisë.

Nga ana tjetër ai vlerësoi punën e qeverive për të frenuar përhapjen e koronavirusit, duke nënvizuar këtu ndihmën që ShBA-ja ka dhënë ndër vite për rritjen e kapacitetit institucional. Palmeri thekson se vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’ju duhen menjëherë 500 milionë dollarë.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor falënderoi Shqipërinë dhe disa vende të tjera të rajonit që mundësuan riatdhesimin e shtetasve amerikanë pa pagesë. “Ne u jemi mirënjohës për partneritetin dhe solidaritetin e treguar”, shtoi Palmeri.

Ndërsa për ndihmat që Serbia ka marrë nga Kina dhe Rusia, ai tha se ShBA-ja nuk është në garë me to, ndërsa nënvizoi ndihmën e drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian.