Një aksident me dy të plagosur është regjistruar mbrëmjen e së hënës në aksin “Vala e detit” në Durrës.

“DurrësLajm” mëson se dy persona, në moshë të re, që po udhëtonin me motor kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal.

Sipas policisë, fatmirësisht dy të aksidentuarit kanë marrë dëmtime të lehta dhe janë nën kujdesin e bluzave të bardha në spitalin rajonal të Durrësit.

Për t’u ardhur në ndihmë dy të rinjve në vendngjarje kanë qenë të pranishëm forca të shumta policie, efektivë të zjarrfikëses si dhe ambulanca që ka ofruar ndihmën e parë.

Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i motorit ka qenë në gjendje të dehur dhe për pasojë ka humbur kontrollin e motomjetit.

Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e dinamikës së aksidentit.