Paraditen e sotme, në kuadër të Planit të Pastrimit Kombëtar, në gjirin e Lalzit u zhvillua një aksion i madh pastrimi.

Strukturat e bashkisë Durrës, prefekturës, por edhe Ministrisë së Mbrojtjes u angazhuan për pastrimin e vijës bregdetare, për të garantuar pastërtinë e plazheve në këtë fillim sezoni veror.

I pranishëm në aksionin e pastrimit ishte kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, ai i mbrojtjes Niko Peleshi si dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako.

Kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako garantoi kryeministrin se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik

“Ne kemi marrë masat në të gjitha plazhet për plugimin dhe pastrimin e rërës. Kemi përfunduar dezinfektimin e qytetit dhe zonës së plazheve. Kanë përfunduar thuajse të gjitha lidhjet e kontratave me subjektet që do të përdorin plazhet. Janë 200 kontrata të lidhura deri tani. Fondi që kemi përfituar nga këto kontrata është gjithnjë në rritje. Kemi marrë masa dhe jemi në gatishmëri në terren në të gjitha pikat problematike për menaxhimin e mbetjeve.

Brenda muajit qershor do të nisim të vendosim koshat e parë në qytet. Kemi blerë gjithsej 1000 kosha për Durrësin, duke pasur prioritet vendosjen e tyre në zonën e plazheve. Së shpejti do të marrim një flotë të re mjetesh për të garantuar pastrim më të mirë të Durrësit”,- tha Sako.

Aksioni i madh i pastrimit në qarkun e Durrësit do të vijojë më 26 maj në grykëderdhjen e lumit Ishëm.