Pastrim, por edhe argëtim. Aksioni i radhës i pastrimit i River Cleanup Albania ishte në vendin më të frekuentuar në Durrës, në shëtitoren “Taulantia”.

Megjithëse ditë pushimi, 60 nxënës nga 9 shkolla 9-vjeçare të qytetit, studentë të UAMD-së, por edhe prindër iu bashkuan aksionit të 53-të të kësaj lëvizje.

Me dhjetëra shishe plastike u mblodhën nga të rinjtë, që përmes këtyre aksioneve synojnë të japin kontributin e tyre për mbajtjen pastër të ambientit dhe njëkohësisht të sensibilizojnë bashkëmoshatarët e tyre për t’iu bashkuar kësaj nisme.

Çështjet mjedisore mbeten një temë e nxehtë për çdokënd, por angazhimi qytetar duket se ka nisur të japë impaktin e parë.

Qytetarët durrsakë patën mundësi të ndiqnin nga afër edhe ekspozitën fotografike me 140 foto të të rinjve të angazhuar në aksionet e pastrimit në  lumin Ishëm.

Ndërkohë, thasët me shishe plastike në fund të aksionit u nisën për riciklim në një nga kompanitë e specializuara për këtë qëllim.

M.B.