Aktorja amerikane Ann Blyth, një nga figurat e fundit të mbetura të Epokës së Artë të Hollywood-it, është ndarë nga jeta në moshën 98-vjeçare. Sipas familjes së saj, Blyth u nda nga jeta më 24 qershor për shkaqe natyrore, vetëm pak javë para se të festonte 99-vjetorin e lindjes.

E njohur si një nga aktoret më të spikatura të brezit të saj, ajo la gjurmë të pashlyeshme në kinemanë amerikane me rolin e Vedës në filmin klasik “Mildred Pierce” (1945), ku interpretoi krah për krah me legjendën e Hollywood-it, Joan Crawford.
Karriera e Ann Blyth shtrihej në më shumë se shtatë dekada. Ajo nisi rrugëtimin e saj artistik që në fëmijëri, përmes programeve radiofonike, përpara se të kalonte në skenat e Broadway-it dhe më pas në Hollywood.

Përveç aktrimit, ishte edhe një soprano e talentuar. Ajo spikati në muzikalë të njohur të viteve ’50, duke interpretuar në produksione si “The Great Caruso”, “Rose Marie” dhe “The Student Prince”. Pas një karriere të suksesshme në kinema dhe teatër, Ann Blyth zgjodhi të largohej gradualisht nga ekrani për t’iu përkushtuar familjes.