Vuk Vulleviq, shtetas i Malit të Zi, për të cilin ishte lëshuar fletarrestim i kuq nga Interpol-i, u arrestua më 12 korrik në një lokal në Beograd, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB).

“Gjatë arrestimit, atij iu gjetën dokumente personale të falsifikuara, të lëshuara në Kosovë. Me urdhër të prokurorisë kompetente, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal nën dyshimet se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftimin që transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

MPB-ja serbe tha se ndaj Vulleviqit ishte lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, në Podgoricë, për veprat penale të organizimit të grupit kriminal dhe prodhimit, posedimit dhe trafikimit të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas njoftimit, ndaj tij ishte lëshuar edhe një fletarrestim nga Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti i Posaçëm për Krim të Organizuar, lidhur me veprat penale për të cilat ai kërkohet nga drejtësia malazeze.

Policia bëri të ditur se gjatë arrestimit i konfiskoi dy telefona celularë dhe e njoftoi Prokurorinë e Tretë Themelore në Beograd.

Po ashtu, u tha se Vulleviq do të dërgohet në Departamentin e Posaçëm për Krim të Organizuar të Gjykatës së Lartë në Beograd.

Policia malazeze e kërkon Vulleviqin nën dyshimet se është pjesë e grupit të organizuar kriminal të Vaso Ulliqit dhe Radoje Zvicerit, raporton REL.

Prokuroria Speciale Shtetërore e Malit të Zi ngriti aktakuzë në korrik të vitit 2024 ndaj 19 personave, të dyshuar për organizimin e një grupi kriminal ndërkombëtar që kishte marrë pjesë në kontrabandën e rreth 2.5 tonëve kokainë.

Ndërsa nëntë anëtarë të dyshuar të këtij grupi u arrestuan në korrik të vitit 2024, të tjerë të dyshuar vazhdojnë të jenë në arrati.

Autoritetet malazeze të drejtësisë në këtë operacion, të koduar “General”, u mbështetën nga agjencia evropiane e policisë, Europol, Byroja Federale e Hetimeve FBI, Administrata për Luftimin e Narkotikëve DEA dhe Policia Federale e Australisë.

Prokuroria Speciale e Malit të Zi i identifikoi si drejtues të këtij grupi kriminal Radoje Zvicerin, i cili konsiderohet udhëheqës i klanit kriminal “Kavaç”, dhe Vaso Ulliqin.

Mes personave në arrati që kërkoheshin nga policia ishte edhe Vuk Vulleviq, krahas Radoje Zvicerit.

Më herët, Vulleviq është akuzuar për kontrabandë kokaine nga Venezuela dhe për vrasjen, në vitin 2005, të inspektorit të policisë Sllavolub Shqekiq, por ai është liruar nga këto akuza.

Policia malazeze e ka përmendur më parë edhe si një nga personat e dyshuar për vrasjen e kryeredaktorit të gazetës Dan, Dushko Jovanoviq, por ndaj tij nuk është zhvilluar ndonjë procedurë gjyqësore për këtë rast.