ATHINE-Dritat e festës janë ndezur në Athinë, por sivjet në qendër të qytetit mungon Pema e madhe e Krishtlindjes. Në vend të saj, janë ndriçuar disa ndërtesa dhe pemët që rrethojnë sheshin “Sintagma”. 

Duket se këtë fundvit bashkia ka shtrënguar mjaft dorën për zbukurimet. Sipas medias greke, autoritetet lokale në Athinë këtë vit e kanë zvogëluar 90% buxhetin e dedikuar për festat dhe janë tërhequr nga zbukurimet tradicionale të bredhit në sheshin ''Sintagma''. 

Studentët e degës së Arkitekturës në Athinë kanë dekoruar 16 pemë Krishtlindjesh në shesh, ndërsa bashkia ka ndriçuar fasada ndërtesash dhe rrugët kryesore të kryeqytetit. 

Gjithashtu është ngritur një strukturë në formë peme, e përbërë nga kuti qumështi për njerëzit në nevojë. 

Gjatë ditëve deri në ndërrimin e viteve, në zonën e projektuar në shesh dhe në 13 zona të qytetit, do të ketë aktivitete argëtuese për fëmijët me muzikë, teatër, programe kulturore, klounë, akrobatë dhe xhonglerë, vallëzim, etj. Një shesh patinazhi prej 200 m katrorë do të presë njerëz të të gjitha moshave, që të rrëshqasin falas në akull çdo ditë. 18 subjekte janë instaluar këtë vit në shesh, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për fuqizimin e konceptit të solidaritetit, si baza e festës së Krishtlindjes. 

Greqia mbyll sivjet vitin e pestë të recesionit dhe shkon drejt të gjashtit, me zvogëlimin e rrogave, pensioneve dhe rritjen e tatimeve ndaj shumë njerëz tërhiqen nga festimet e shtrenjta të Vitit të Ri ose planifikojnë ta festojnë me modesti në shtëpi me familjen e tyre.