Sheshi i Sfinksit në Durrës është kthyer mbrëmjen e kaluar në një epiqendër të argëtimit, teksa nisi nata e parë e festivalit “Vala Fest”. Qytetarë durrsakë dhe turistë të shumtë, që po e vizitojnë qytetin bregdetar në këto ditë të nxehta vere, kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë nën ritmet e muzikës më të mirë shqiptare.
Për disa orë me radhë, të pranishmit kanë kërcyer dhe kënduar bashkë me këngëtarët dhe DJ-të më të njohur të skenës muzikore shqiptare, duke e shndërruar sheshin në një hapësirë festive dhe energjike.
Në këtë event kulturor, që tashmë po kthehet në një traditë të dashur për qytetin bregdetar, nata e dytë pritet të sjellë edhe më shumë emocione. I ftuar special do të jetë një nga emrat më të spikatur të muzikës shqiptare, Alban Skënderaj, i cili do të ngjitet në skenë për të dhuruar një koncert të paharrueshëm për publikun.