Fluksi i madh i pushuesve që kanë zgjedhur për të frekuentuar vijën bregdetare të Durrësit është shoqëruar me një fluks të shtuar vizitash në 5 qendrat shëndetësore verore, që operojnë në këtë bashki.

Përgjatë dy muajve të parë të verës (qershor – korrik) kanë qenë më shumë se 8000 pushues, që kanë kërkuar ndihmën e parë mjekësore pranë 5 qendrave verore, me simptoma nga më të ndryshmet.

“Flasim për një numër rreth 8100 vizita, ku rreth 1/3 e tyre janë turistë të huaj. Më së shumti kemi gastroentirite, viroza të ndryshme, pickime, fraktura etj. Ajo që vihet re është se asistenca e ekipeve mjekësore nuk është vetëm në rastin e mbytjeve apo shërbimeve brenda në qendrat shëndetësore, por kemi asistuar edhe në menaxhimet e rasteve në aksidente automobilistike”,- bën të ditur drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Durrës, Aurora Hyka.

Përgjatë këtyre muajve, për shkak të lëvizjes së qytetarëve si dhe përqendrimeve masive në plazhe apo restorante e lokale nate, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të pacientëve, që preken nga variantet e Covid-it që qarkullojnë në këtë periudhë.  

“Të gjitha qendrat shëndetsore, përveç shërbimeve bazë kanë edhe testet e Covid-it. Kemi një numër 50 me 50, pra nëse ne kemi analizuar apo kemi marrë materiale për 100 pacientë, rreth 50% e tyre rezultojnë Covid+. Sigurisht bëhet ndjekja nga ekipi këtu, bëhet referimi nga qendra shëndetësore mëmë dhe pastaj pranë Shërbimit Epidemiologjik. Sigurisht kanë qenë raste të menaxhueshme”,- thotë Hyka, duke siguruar se nuk bëhet më fjalë për raste me komplikacione serioze.

Vitin e kaluar në qendrat shëndetësore verore të Durrësit kanë marrë shërbim rreth 12 mijë pushues, nga të cilët 40% ishin të huaj.

Qendrat shëndetësore verore nisin punën nga 1 qershori, për të mbyllur dyert më 30 shtator.

M.B.