Pishina publike “Taq Dafa” do t’i nënshtrohet së shpejti rikonstruksionit të plotë të saj.

Me një fond prej rreth 12 milionë lekë, bashkia Durrës ka hapur tenderin për riparimin e këtij aseti publik të qytetit, ku për shumë vite me radhë janë stërvitur ekipet e moshave, por edhe notarët më të mirë durrsakë, si dhe janë zhvilluar kampionate noti kombëtare dhe mbarëkombëtare si “Teuta Cup” etj.

Rikonstruksioni i pishinës publike ishte një nevojë emergjente, pasi vitin e kaluar, për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës së saj nuk u zhvillua kamponati i përvitshëm mbarëkombëtar.

Administratori i pishinës, Gjergj Ngresi pohoi për “DurrësLajm” në korrik të vitit të kaluar se “Infrastruktura lë për të dëshiruar. Por vitin tjetër, pas rikonstruksionit, do të jetë kryevepër fare”.

Në dokumentacionin e tenderit, bashkia Durrës thotë se “riparimi i pishinës do të bëhet në të gjithë hapësirën, ku janë qartësuar procedurat që do të ndiqen, duke përdorur produktet e miratuara nga Federata Ndërkombëtare e Notit FINA (sot WORLD AQUATICS)”.

Sipas projektit, riparimi i infrastrukturës së pishinës do të përqendrohet tek baseni i saj, zona e startit, zona A dhe B, shkallët dhe kanali ujëmbledhës jashtë saj.

Ndërhyrja për rikonstruksionin  e saj pritet t’i rrisë jetëgjatësinë pishinës së vetme publike të qytetit, me përmasa olimpike.

Pishina ka një gjatësi prej 50 m dhe një gjerësi prej 21 m, me një thellësi që ndryshon nga 2 m në anën veriore në 1.4 m në anën jugore.

“Duke i siguruar pishinës një gjendje konform Standarteve Evropiane, ndërkohë edhe konform kërkesave të Federates Ndërkombëtare të Notit (FINA), ajo mund të shërbejë si terren stërvitor edhe për ekipe të tjera të Shqipërisë dhe shteteve fqinje.

Investimi në riparimin e pishinës përkthehet në investim jo vetëm për sportistët (notarë etj) të qytetit të Durrësit duke u dhënë atyre mundësinë për të stërvitur në kushte optimale, por për të gjithë komunitetin sportiv në Shqipëri.”,- shkruhet në relacionin e bashkisë.

Tenderi për rikonstruksionin e pishinës publike është mbyllur më datë 15 mars dhe së shpejti pritet të shpallet firma fituese që do të realizojë punimet.

Pishina publike u hap në vitin 2015 dhe ka luajtur një rol thelbësor në nxitjen e veprimtarive fizike, sidomos për vogëlushët dhe të rinjtë e Durrësit, të apasionuar pas notit.

M.B.