Bashkia Durrës ka hapur aplikimet për të punësuar të rinj profesionistë pranë Njësisë së Legalizimit, strukturë që do të funksionojë pranë pushtetit vendor.
Në profilin e saj në rrjete sociale, kryebashkiakja Emiriana Sako ka publikuar thirrjen drejtuar të rinjve të diplomuar në degë si Inxhinieri Ndërtimi, Arkitekturë, Gjeodezi ,Urbanist, Gjeoinformacion, Topograf dhe Juridik për të aplikuar pranë kësaj njësie.
Të interesuarit duhet të dorëzojnë deri më datë 26 shtator pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dokumentacionin e kërkuar, të publikuar në faqen zyrtare të bashkisë Durrës.
Në mbledhjen e datës 29 korrik, Këshilli Bashkiak miratoi shtesën me 20 punonjës në aparatin e bashkisë, të cilët do të punësohen pranë Njësisë së Legalizimit, që do të funksionojë si strukturë koordinuese mes Kadastrës dhe institucionit të qeverisjes lokale.
Kjo strukturë e re do të ketë disa detyra përgjatë 2 viteve të funksionimit të saj, një prej të cilave do të jetë njoftimi i subjektet që kanë aplikuar për legalizimin e ndërtimeve pa leje në zonën me prioritet zhvillimi urban dhe zonën informale të banimit që të paraqesin kopje të kërkesës për legalizim apo dokumentacion tjetër të nevojshëm për trajtimin me prioritet të procesit.
Përshpejtimi i procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje është një nga prioritetet e qeverisë Rama. Kryeministri i vendit ka kërkuar që brenda vitit 2026 procesi në fjalë të përfundojë, pavarësisht se ligji parashikon vitin 2028 si afatin e fundit të legalizimit të të gjitha ndërtimeve pa leje në shkallë vendi.