Bashkia e Durrësit shpalli të hënën një tender për depozitimin e mbetjeve të saj urbane, vetëm pak ditë pas finalizimit të projektit të mbështetur nga qeveria për dërgimin e mbetjeve drejt kompanisë koncesionare që menaxhon landfillin e Sharrës në Tiranë, të paktën për një periudhë 10-vjeçare.

Procedura prokuruese e publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik ka si fond limit vlerën 287.2 milionë lekë [rreth 2.3 milionë euro] dhe është ‘me negocim, pa njoftim” –një procedurë e mbyllur përmes së cilës autoriteti kontraktor e zgjedh vetë operatorin ekonomik  dhe negocion me të kushtet e kontratës.

Ajo i hap rrugën lidhjes “de jure” të një kontrate mes Bashkisë së Durrësit dhe kompanisë koncesionare ‘Integrated Energy B.V SPV”, e cila parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë edhe 35 milionë euro të tjera shtesë për dhjetë vitet e ardhshme.

Bashkia Durrës nuk do të paguajë për plehrat vetëm gjatë periudhës (gusht-dhjetor 2021), ndërsa më pas vit pas viti shuma varion nga:

34,465,920 lekë (për vitet 2022-2024), 10%

në 51,698,880 lekë (2025 – 2027), 15%

në 68,931,840 lekë (2028 – 2030). 20%

Deri në fund të periudhës 10-vjeçare të depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës, kostoja që tatimpaguesit durrsakë do të paguajnë nga xhepat e tyre për mbeturinat dyfishohet, ndërsa ulet fondi i akorduar nga Buxheti i Shtetit për menaxhimin e mbetjeve të Durrësit.

3 vitet e para qeveria ka marrë përsipër të paguajë 90% të shumës totale, në 3 vitet e mëpasme (2025 – 2027) 85% të shumës, ndërsa 3 vitet e fundit 80% të shumës totale.

Prej vitit të kaluar, kur qeveria mbylli venddepozitimin në Porto Romano për ta shndërruar në Eco Park, banorët e Durrësit janë përballur disa herë me emergjencat mjedisore për shkak të mos tërheqjes së mbeturinave urbane për ditë të tëra brenda në qytet dhe zona periferike. Alternativa e vetme që u ofrua për depozitimin e mbetjeve ishte landfilli i Sharrës, i cili prej mëse një viti i ka pranuar mbeturinat urbane pa pagesë.