Kendi i BE, pjesë e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, projekt ky që financohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe po implementohet në të 61 Bashkitë e Shqipërisë  organizoi konferencën me temë  “Trashëgimia Kulturore dhe Arkeologjike e Durrësit – e kaluara pjesë e zhvillimit të mëtejshëm të qytetit’’! në ambjentet e Muzeut Arkeologjik.

Kjo konferencë u zhvillua në kuadër të Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore Qëllimi i kësaj konference ishte ruajtja e qyteteve historike dhe integrimi i tyre në infrastrukturën dhe nevojat e jetesës bashkëkohore. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin Nenkryetari i Bashkisë Durrës Florian Tahiri, shefja e Seksionit Ekonomik, Politik dhe Informativ pranë Delegacionit të BE, Monika Bylaite; Drejtori i Përgjithshëm i AMVV Bekim Murati; Prefekti Roland Nasto; Drejtori i Përgjithshëm i APD Afrim Bakaj, Drejtori i DRKK Patriot Beqaraj etj.

Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, ka lançuar në këtë konferencë edhe nismën që Bashkia Durrës ka ndërmarrë në Rijetëzimin e Njësive Arkeologjike në qytet dhe krijimin e një Parku Arkeologjik me në krye asetin e çmuar të qytetit Amfiteatrin Roman të Durrësit:“Jam i privilegjuar  të pres  Konferencën mbi Trashëgiminë Kulturore dhe Arkeologjike në kryeqendrën e një qytetërimi 3000 vjecar, në qytetin me pasuri të larmishme nëntokësore dhe nënujore, në qytetin portë-hyrëse me Perëndimin, në këtë ambient restauruar nga Qeveria Shqiptare me qëllimin e mirë të mirëmbajtjes dhe promovimit të vlerave të pacmueshme të pasurisë tonë historike dhe arkeologjike. Turizmi mbetet prioriteti ynë dhe promotori i zhvillimit ekonomik, ndaj meriton vëmendjen e të gjitha palëve për të punuar  më shumë në rritjen dhe përmirësimin e performances së këtij sektori. Më lejoni të përfitoj nga rasti të falenderoj, Delegacionin Europian që nëpërmjet Projektit “Bashkitë për Evropën” ka mundësuar ngritjen e Këndit të Bashkimit Europian në Bashkinë e Durresit ashtu sikurse në 61 bashkitë e tjera, duke mundesuar ofrimin dhe shkembimin e informacioneve mbi politikat e Bashkimit Europian dhe procesit të integrimit të Shqiperisë në familjen Europiane. Dua të shpreh gadishmërinë dhe vullnetin e Bashkisë për t’ju siguruar të gjithë potencialin njerëzor dhe Institucional në shërbim të arritjes të standarteve që  Europa e Bashkuar kërkon. Kam nderin  të lançoj në këtë event nismën që Bashkia Durrës ka ndërmarrë në Rijetëzimin e Njësive Arkeologjike në qytet dhe krijimin e një Parku Arkeologjik me në krye asetin e cmuar të qytetit Amfiteatrin Roman te Durresit. Jam besim plotë që në këtë rrugëtim të vështirë por edhe të bukur  për realizimin e tij do të kemi ndihmen e Qeverisë Shqipëtare dhe Donatorëve.”

Gjatë fjalës së saj. shefja e Seksionit Ekonomik, Politik dhe Informativ pranë Delegacionit të BE, Monika Bylaite theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimise kulturore si dhe e quajti atë si një urë lidhëse me të ardhmen. Ajo tha gjithashtu qe Bashkimi Evropian se shpejti do të hapë thirrje për propozime në fushën e trashëgimise kulturore me një grant prej 40 milion eurosh.

Drejtori i Përgjithshëm i AMVV foli për ecurinë dhe arritjet e projektit duke nënvizuar faktin se tani pas hapjes se 61 Këndeve të BE, qeveria shqiptare me anë të VKM Nr.450 dt.26.07.2018 ka nisur procesin e institucionalizimit të këtyre këndeve duke i bërë kështu pjesë të strukturës së secilës Bashki.

Këto zyra tashmë do të quhen “Njësitë e Integrimit dhe Ndihmës së Huaj”. Nëpërmjet këtyre zyrave Bashkimi Evropian do ti mundësojë të gjithë qytetarëve marrjen e informacionit mbi njohuritë, politikat dhe çfarë ofron Bashkimi Evropian, si dhe ngritjen e kapaciteteve të Administratës Publike për përthithjen e fondeve të BE dhe koordinimin e punës me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrinë e Brendshme për plotësimin e të gjithë kapitujve të integrimit ku pushteti vendor është i përfshirë.

Koordinatorja e BE-së për Bashkinë e Durrësit Pranvera Gagani tregoi mbi aktivitetet e zhvilluara nga Bashkia Durrës për promovimin e Këndit të BE dhe shkëmbimin e eksperiencave me OJF, studentë, institucionet publike dhe private. Gjatë diskutimit me qytetaret dhe institucionet vendimarrese kishte diskutime dhe u ndanë pikëpamje të shumta nga pjesëmarrësit.

Prefekti i Durrësit Roland Nasto diskutoi rreth resrseve arkeologjike e turistike të Durrësit që janë tepër interesante për vizitorët e shumtë që vijnë në qytet. Ilda Kasa përfaqësuese e Touroperatorit “Happy Tours” parashtroi problematikat që u hasën gjatë këtij sezoni në qytetin e Durrësit, si dhe nënvizoi trendin rritës të turistëve në qytetin e Durrësit për vitin 2018.

Ekspertja e turizmit Brunilda Licaj dha disa sygjerime sesi mund të shtrijmë kohëzgjatjen e sezonit turistik dhe në muajt në të cilat nuk frekuentohet turizmi i detit dhe i rërës. Eksperti i trashëgimisë kulturore Oltsen Gripshi sugjeroi sesi lënda e trashëgimisë kulturore të përfshihej në sistemin paraunivesitar. Të gjithë grupet e interesit si ato publike dhe ato private u angazhuan të bashkërendojnë punët e tyre në mënyrë që të ruajmë pasurinë e trashëguar dhe të zhvillojmë Durrësin bashkëkohor.