Më shumë se 160 milionë lekë të vjetra për gjelbërimin e Durrësit. Bashkia e qytetit bregdetar ka shpallur tenderin, i cili do të jetë i hapur deri më datë 26 tetor për të gjitha kompanitë e interesuara.

Pemët dekorative që kërkohen nga bashkia për të gjelbëruar rrugët dhe hapësirat publike në qytet janë të llojeve të ndryshme.

Përveç palmave, që do të jenë të llojit Washintonia Robusta, bashkia planifikon te mbjellë edhe leofata, kamelie, manjola, oleandër, por edhe pemë bliri dhe rrapa.

Pas shpalljes së fituesit dhe nënshkrimit të kontratës, kompania do të ketë afat 1 muaj për të dorëzuar porosinë dhe për të filluar mbjelljen e pemëve dekorative.

Secila nga pemët dhe drurët dekorativë do të ketë garanci 12 muaj që nga marrja në dorëzim e mallit.

Në dokumentet e tenderit, bashkia nuk specifikon rrugët apo lagjet ku do të mbillen pemët dekorative.

Sipërfaqja urbane e gjelbëruar është pakësuar ndjeshëm për shumë vite me radhë, shqetësim që jo pak herë është ngritur nga qytetarët e jo vetëm. Betonizimi i qytetit ka “gllabëruar” gjithnjë e më shumë hapësira publike që dikur ishin lulishte, ndërsa dhe ato që kanë arritur të mbijetojnë shpesh shfrytëzohen nga lokalet që shtojnë numrin e tavolinave në kurriz të gjelbërimit.