Përballjet mes durrsakëve dhe kryeqytetasve prej disa vitesh janë kryefjalë në basketbollin shqiptar, duke përcaktuar shpeshherë edhe fituesit e trofeve. Kështu Teuta dhe Tirana zbritën dje në parketin e pallatit të sportit “Ramazan Njala” për betejën e radhës në kampionat.

Raundi i parë i gjysmëfinaleve shkoi për bardheblutë, të cilët morën një fitore me vlera në Durrës. Pas një takimi të udhëhequr që nga fillimi e deri në fund, në të cilin preku deri në +25 pikë avantazh, Tirana doli me triumfin 71-83 nga transferta bregdetare. Bardheblutë, të cilët patën edhe mbështetjen edhe të një grupimi tifozësh të ardhur nga kryeqyteti, bënë një ndeshje shumë të mirë, duke mos e diskutuar për asnjë moment suksesin.

Ndeshja nisi menjëherë nën diktatin e miqve, të cilët realizuan 8 pikët e para, ndërsa Simpson realizoi koshin e parë për Teutën, për 3 pikë. Tirana ishte më e qartë në veprimet e saj, ndërsa të besuarit e Melzin Lazimit u panë që në fillim që ishin në një ditë “jo”.

Kështu bardheblutë e mbyllin periodën e parë 10-22, ndërsa i ruajnë distancat duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin 28-39. Edhe perioda e tretë dominohet nga Tirana, e cila fiton 14-26 dhe kryeson 42-65 pas 30 minutash lojë. Çereku i fundit mbetet një formalitet për bardheblutë, ndërsa Teuta kujtohet shumë vonë për të luajtur.

Durrsakët e fitojnë këtë 10-minutësh 29-18, por në shifra të përgjithshme suksesi për Tiranën është “i salduar” me 12 pikë diferencë. Një takim që mbyllet me festën bardheblu, por nga ana tjetër nuk mungojnë as kontestimet nga drejtuesit e skuadrës durrsake, të cilët kanë ankesa për arbitrimin.

Duke kaluar te statistikat individuale, Julian Hamati me 22 pikë e 14 ribaunde si dhe Endrit Hysenagolli me 17 pikë e 14 ribaunde edhe një herë tjetër mbajtën peshën kryesore në lojën e Tiranës. Spikati edhe Gerard Davis me 18 pikë si dhe Klein Strazimiri me 11 pikë. Për Teutën më të mirët në këtë takim ishin Avery Sullivan me 22 pikë e 11 ribaunde si dhe kapiteni Kristi Gorea, autor i 13 pikëve dhe 6 ribaundeve.