Bashkimi Evropian ka vendosur të shtyjë pa afat tryezat ndërqeveritare për hapjen e dy grupkapitujve të radhës për Shqipërinë, duke krijuar një tjetër pengesë në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.
Në një deklaratë për mediat, “Qëndresa Qytetare” e cilëson këtë vendim si një zvarritje në dëm të Shqipërisë, duke theksuar se Brukseli vazhdon t’i mbyllë derën Tiranës për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveria shqiptare.
“Hapja e shampanjës është kthyer në traditë, por Brukseli vijon t’i mbyllë derën Tiranës. Është e qartë që kushtet dhe kërkesat nuk janë plotësuar”, thuhet në deklaratë.
Sipas “Qëndresës Qytetare”, një ndër faktorët që ka ndikuar në këtë bllokadë është arrestimi i ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili sipas tyre ka ekspozuar tentativat për intimidimin dhe minimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor.
“Kjo situatë, e kryqëzuar me korrupsionin dhe pastrimin e parave në ndërtim, fenomene të evidentuara në çdo raport ndërkombëtar, ka bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë”, thekson organizata.
Për më tepër, zgjedhjet e pjesshme të 11 majit konsiderohen një moment kyç për të ardhmen e negociatave. “Qëndresa Qytetare” paralajmëron se ky proces do të monitorohet me kujdes dhe mund të përcaktojë të ardhmen e Shqipërisë në BE.
“Zgjedhjet e 11 majit janë një test i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rrugëtimin evropian të saj. Ato mund të sjellin ‘tym të bardhë’ për negociatat ose të shënojnë përfundimisht mbylljen e tyre”, thuhet në deklaratë.