Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar sot projektin e Portit të Durrësit si një “aferë që shkon lehtësisht mbi 4 miliardë Euro”.

Berisha i ka bërë thirrje themeluesit të “Emaar Properties” Mohamed Alabbar që të mos përfshihet në aferën e portit të Durrësit.

“Unë para dy javësh u kam bërë thirrje qytetarëve të Durrësit të mos blejnë asnjë metër se gjithçka do konfiskohet, unë sot përsëri e denoncoj këtë aferë si një nga aferat më të mëdha korruptive të Evropës.

Se si aferë kjo shkon lehtësisht mbi 4 miliardë Euro.

Rama me kompaninë po përvetëson një milion metër katrorë tokë publike në qytetin e Durrësit dhe po i bën një dëm të pallogaritshëm ekonomisë shqiptare.

Para 6 muajsh janë blerë vinça nga më modernët për atë port, të gjitha shumëzohen me zero se i pangopuri Rama ka gjetur një kompani sa për t’u fshehur pas saj për të larë paratë e lumenjve të drogës së klaneve të tij të drogës në Durrës.

E garantoj se ai projekt nuk do gjejë jetë, dhe PD do jetë një nga të parat. I them atij zotërisë Emaar të mos implikohet në afera të tilla, mos implikohet në megafera të tmerrshme si kjo, Rama nuk ka autoritet të plaçkisë në këtë mënyrë pronën publike”, tha Berisha.