Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se më 23 Dhjetor do të shënojë mosbindjen më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria deri më sot.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë me gazetarët mesditën e sotme, Berisha ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në këtë mosbindje civile. Ai thotë se kjo protestë do të ketë fuqinë e elektroshokut për atë që e quan “regjimi narkodiktatorial i Edi Ramës”.

“Diktatura rrëzohet ose me lëvizje të armatosur siç ndodhi dje me diktatorin gjakatar Bashar Al Asad, ose me mosbindje civile. Opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën kryesore, të vetme për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori dhe diktatura e tij që kërkon të marrë njëlloj si Lukashenko mandatin e katërt, të grabisë mandatin e katërt.

Ndaj dhe data 23 Dhjetor do të jetë dita e mosbindjes më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria gjer sot. Modalitetet e kësaj mosbindje do përcaktohen nga grupi përgjegjës, por opozitarët dhe demokratët nga mbarë Shqipëria dhe kudo që ndodhen në botë, duhet të bashkohen me 23 në një mosbindje civile që duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Edi Ramës”- tha Berisha.

Partia Demokratike ka nisur protestat në formën e mosbindjes civile menjëherë pas dënimit me burg të ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji.