Durrësi dhe qyteti italian i Xhenovës nënshkruan sot marrëveshjen e binjakëzimit. Marrëveshja mes qyteteve u konkretizua me një takim në bashki mes kryebashkiakes Emiriana Sako dhe nënkryetarit të Bashkisë së Xhenovës Pietro Piciocchi, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në qytetin e Durrësit, në kuadër të Ditës së Evropës.

Marrëveshja konsiston në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët, me qëllim rritjen e mirëqenies sociale të komuniteteve lokale në të dy qytetet bregdetare.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, nënkryetari Piciocchi nënvizoi se sheh shumë mundësi bashkëpunimi mes qyteteve, që lidhjet mes tyre i kanë pasur të forta, që shekuj më parë, kur familja Durazzo u vendos në Xhenova dhe la gjurmë në historinë e zhvillimit të qytetit.

“Xhenova dhe Durrësi janë dy qytete që kanë shumë pika të përbashkëta dhe shoh shumë mundësi bashkëpunimi. Janë dy qytete bregdetare, dy qytete që po realizojnë investime të rëndësishme në porte, ekonominë detare, projekte për të rinjtë, kulturën dhe turizmin.

Me kryebashkiaken tuaj biseduam mbi mundësi të ndryshme bashkëpunimi mes universiteteve tona, duke përfshirë të rinjtë, por edhe për shkëmbime kulturore dhe turistike.

Besoj se kemi shumë punë përpara për të bërë. Në qytetin e Xhenovës është shumë e njohur familja Durazzo, që për shekuj me radhë ka ndikuar në historinë e qytetit. Është një familje që ka nxjerrë 9 guvernatorë, peshkopë, ambasadorë etj. Është një familje që ka lënë shumë dëshmi të rëndësisë së saj.

Për ne vjen shumë natyral ky binjakëzim mes qyteteve. Jemi shumë besimplotë që mund të bëhen shumë gjëra të mira për zhvillimin e dy qyteteve”,- thotë Piciocchi.

Në Xhenova studiojnë rreth 400 studentë shqiptarë, të cilët në vijimësi mund të kontribuojnë edhe më shumë për lidhjet e shumëfishta mes dy qyteteve.  Sipas nënkryetarit Piciocchi, shkëmbime mjaft të rëndësishme do ketë edhe në sektorin e turizmit.

“Ne jemi këtu për të promovuar turizmin e xhenovezëve drejt Shqipërisë dhe veçanërisht Durrësit.

Xhenova ka një lidhje direkte ajrore me Shqipërinë, 3 herë në javë. Kemi një komunitet shqiptar mjaft solid në Xhenova. Në universitetin tonë studiojnë 400 studentë shqiptarë. Ne do t’i kërkojmë edhe shqiptarëve në Xhenova, që të na ndihmojnë në shkëmbimet mes dy qyteteve”.

M.B.