Edi Martini largohet nga Teuta dhe në vend të tij emërohet Bledar Devolli, i cili rikthehet në Durrës si trajner, ndërsa plot 18 vite më parë ka qenë pjesë e “djemve të detit” kur skuadra drejtohej nga Sulejman Starova. Pas deklaratës së Martinit se do të rishikonte pozicionin, presidenti Edmond Hasanbelliu ka vendosur që të shtrëngojë duart me shkodranin, për të cilin është hera e katërt që bën këtë lëvizje nga Teuta. Martini ka fituar gjithçka me “djemtë e detit”, por eliminimi nga Kupa dhe pozicioni i pafavorshëm në tabelën e klasifikimit, kanë bërë që t’i hapë rrugën ndryshimeve në stolin durrsak, në mënyrë që ekipi të ketë një tjetër frymë në vazhdimësi.

“Klubi i futbollit Teuta njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Edi Martini. Gjatë këtij sezoni, Martini ka dhënë kontributin e tij në drejtimin e ekipit. E falënderojmë për punën dhe përkushtimin, duke i uruar suksese në karrierën e mëtejshme. Në vijim do të zyrtarizohet edhe trajneri i ri”, thuhej në njoftimin e klubit. Nuk ka qenë e thjeshtë që Bledar Devolli të emërohej në krye të Teutës, pasi trajneri gjirokastrit ishte nën kontratë me Lirinë e Prizrenit. Me këtë të fundit po kalonte një moment fantastik, pasi vinte nga katër fitore radhazi në Ligën e Parë kosovare. Mirëpo, insistimi i presidentit Hasanbelliu bëri që Devolli të bindte më pas drejtuesit e Lirisë për ta lënë të lirë në fazën më kulminante të sezonit në Kosovë. Keqardhja e prizrenasve, që prej 10 ditësh po kryejnë fazën përgatitore në Durrës, ishte e madhe.

Kjo u duk në njoftimin për largimin e gjirokastritit: “Klubi Liria njofton se trajneri Bledar Devolli është liruar nga detyra. Si një qytet me traditë dhe kulturë, Liria duhet të respektohet si brenda, ashtu edhe jashtë fushës. Synimet e klubit janë të qarta dhe do të vazhdojmë së bashku drejt suksesit! Falënderojmë trajnerin Devolli për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë kohës që ishte pjesë e klubit dhe i urojmë suksese në të ardhmen. FC Liria vazhdon përpara me të njëjtin përkushtim dhe ambicie për të arritur objektivat tona!”.

Ish-mesfushori Devolli ka qenë pjesë e Teutës si futbollist në sezonin 2006-2007, ndërsa kjo është hera e parë që do të drejtojë durrsakët si trajner.

47-vjeçari ka një eksperiencë të konsiderueshme në disa skuadra në Shqipëri dhe Kosovë, pasi ka drejtuar Dinamon, Luftëtarin, Kukësin, Bylisin, Kamzën, Tomorin, Kastriotin, Drenicën, Lirinë etj. Debutimi i Devollit në stolin e Teutës do të jetë kundër Skënderbeut të shtunën në Korçë në orën 16:30. Ndihmës i Devollit te durrsakët do të jetë një emër i njohur i futbollit shqiptar, pikërisht Endri Vrapi. Ish-mbrojtësi i Kombëtares ka qenë te Teuta bashkë me Devollin si futbollist edhe në sezonin 2006-2007. Gjithashtu pak vite më parë ai ka qenë në stafin e ish-trajnerit Bledi Shkëmbi te Teuta. Kësisoj, edhe për Vrapin është një rikthim te “djemtë e detit”. Synimi i stafit të ri është largimi sa më parë nga zona e ftohtë dhe ngjitja në pjesën e sipërme të renditjes.