Kombëtarja shqiptare e nën 21 vjeçarëve do të luajë nesër takimin e radhës ndaj Rumanisë në stadiumin ‘Elbasan Arena’, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e ‘Kampionatit Europian 2025’ për këtë grupmoshë.
Pas tre pikëve të fituara në transfertën e Armenisë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi synojnë të marrin një tjetër rezultat pozitiv. Tekniku kuqezi shprehet se fitorja në Armeni ishte e merituar, ndërsa nënvizon se edhe ndaj Rumanisë, kuqezinjtë do të luajnë për të marrë tre pikët.
Gjendja e skuadrës – Gjendja është e mirë dhe morali i çunave është i lartë. Kemi pasur disa dëmtime, por besoj deri nesër do t’i rikuperojmë.
Fitorja ndaj Armenisë- Ishte një fitore e merituar dhe e vështirë. Asnjëherë nuk është e lehtë të fitosh jashtë. I kam falenderuar çunat për shpirtin e sakrificës që ata treguan deri në fund. Nuk ishte loja jonë më e mirë, kishim shumë mungesa dhe grupi bëri vetëm një stërvitje së bashku, për shkak të lojtarëve që munguan nga mos-pajisja në kohë me pasaporta. Kjo ndikoi në manovren sulmuese. Na mungoi edhe Pajaziti që për ne është shumë i rëndësishëm në mesfushë.
Çfarë presim nesër nga ekipi U-21? – Besimi është arma e fortë qe ne kemi. Nuk kemi frikë asnjë ekip. Ne do bëjmë lojën tonë dhe do luajmë për fitore. E respektojmë emrin e Rumanisë, por nuk e mbivlerësojmë si ekip. E dimë që vështirësia është e lartë me këtë lloj kundërshtari, por objektivi dhe qëllimi që ne kemi nuk do të na pengojë për të marrë 3 pikët! Mendoj që ky grup do të jetë i hapur deri në fund.