8 artistë të rinj nga Durrësi kanë “përkthyer” në vepra arti buxhetin e bashkisë. Një qasje mjaft interesante, por edhe një risi në vetvete, pasi matematika e shifrave të buxhetit transformohet në piktura, grafika etj, të cilat tregojnë për perceptimin e të rinjve për zërat e ndryshëm ku shpërndahen paratë e vitit buxhetor.

Ekspozita publike  “Art me Buxhetin”, e realizuar nga qendra “Durrësi Aktiv”, synon të bëjë për artdashësit transparencën e buxhetit përmes artit.

“Qendra Durrësi aktiv vjen me një risi, me krijimtarinë artistike të artistëve që angazhohen duke përkthyer buxhetin e bashkisë në iulstrime grafike. Ne duam të angazhojmë qytetarët duke i treguar sesi të marrin pjesë në vendimmarrjen publike dhe gjatë dëgjesave kur miratohet kalendari i buxhetit.” – tregon Livia Kreko, specialistja e komunikimit për qendrën.

Mentori i 8 artistëve të rinj Romir Llukaçi tregon se përmes gjuhës së artit, por edhe një ironie të hollë, autorët e tablove kanë realizuar punime mjaft të arrira.

“Është diçka e bukur, sepse gjithmonë krijimtaria është e lirë, porr kur kondicionohesh me shifrat gjithnjë ka një lloj ndryshimi, sepse shifrat janë shkencë ekzakte. Ishte një sfidë edhe për krijuesit. Punimet pasqyrojnë edhe aspektin pozitiv të punëve të bashkisë, kur ka projekte që shihen çdo ditë në rrugët e Durrësit, gjithashtu ka dhe pjesë të tjera që kërkojnë vëmendje nga bashkia”.

Punimet artistike do të ekspozohen përgjatë kësaj jave në disa hapësira publike të qytetit, si sheshi “Liria”, në ish-Kënetë, Shkozet dhe Spitallë.

M.B.