Një rrëshqitje masive toke në zonën e Porto Romanos ka alarmuar banorët, të cilëve u rrezikohen banesat dhe bizneset e tyre.
Çarjet e tokës janë mjaft të dukshme në një segment prej rreth 1.2 km, por edhe në kodrën aty pranë, që sipas banorëve është çarë në shumë vende. Banorët fajësojnë punimet e lëna përgjysëm për realizimin e investimit për thellimin e kanalit të ujërave të larta, që përshkon këtë zonë.


Në vendngjarje kanë qenë sot edhe inspektorë të bashkisë, për të parë nga afër situatën.

Bashkia e Durrësit konfirmon se është në dijeni të problematikës, por sipas autoritetit vendor situata e krijuar nuk ka lidhje me punimet e kryera për rehabilitimin e kanalit. E gjithë zona do të merret në analizohet nga ekspertët gjeologë nga Tirana për të zbuluar fillimisht shkaqet e rrëshqitjes së tokës dhe kodrës dhe për të dalë pastaj me masa konkrete për ndërhyrjet që duhet të kryhen në terren.
Pak kohë më parë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit nisi investimin në këtë zonë për ndërtimin e Parkut Urban të Spitallës, me fond rreth 1 miliard lekë.
Punimet në këtë zonë po kryhen në kuadër të këtij projekti dhe konsistojnë edhe në mbylljen e kanalit të ujërave të larta në zonën e Spitallës
M.B.