Nga Osman Metalla

Të nderuar Miq!

Ministri i Jashtëm Grek z. Dendias në një mesazh dërguar Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (sipas Telegraf.al), ndër të tjera theksoi se “Shqipëria dhe Greqia kanë arritur një marëveshje politike për ta referuar çështjen në Hagë„. Dy vëndet ranë dakort për dërgimin e ndarjes së zonave ekonomike ekskluzive në Hagë, duke i dërguar në këtë mënyrë një mesazh dhe Ankarasë zyrtare, duke cilësuar se Greqia është një shtet që e ka gjetur gjuhën e mirëkuptimit me të gjitha vëndet e rajonit përveç Turqisë.

Sikurse vërehet dhe nga deklarimet e Ministrit të Jashtëm Grek, ai çështjen e kufirit detar me Shqipërinë e quan të mbyllur (mbështetur ne akordin politik të arritur me kryeministrin Rama). Pyetja që shtrojme është: Për çfar është rënë dakort?

Në gjykatë shkohet pasi janë ezauruar të gjitha mundësitë e arritjes se nje marëveshje, ateherë palët bien dakort për të kërkuar zgjidhje nga një palë e tretë, pra në Gjykatë. Sërish ajo që mbetet e paqartë është:

• Cilat janë mosdakortësitë që kemi me palën Greke?

• Kush ka qene grupi negociator që i ka negociuar dhe nuk ka arritur të ketë dakortësi me palën greke, kur grupi me largimin e disa prej anëtarëve të tij e ka humbur legjitimitetin, dhe në dijeninë publike nuk është konstituuar ndonjë grup i ri negociator?

• Para se të merej vendimi për të shkuar në gjykatë, a janë konsultuar institucionet kushtetuese të vëndit (Gjykata Kushtetuese, Presidenti, Parlmenti), dhe është dhënë konsensusi i tyre për një vendim të tillë?

• Cila është puna përgatitore që po bën pala Shqiptare për tu përgatitur dhe patur sukses ne Gjykatë?

Këto dhe shumë pyetje të tjera janë të rëndësishme dhe me interes mjaft të madh për informimin e publikut. Kufiri detar është është çështje e sovranitetit shtetëror dhe mbështetur në nenin 2 të Kushtetutës së R.SH qytetarët e këtij vëndi meritojnë të informohen dhe të jenë në dijeni të çdo vendimi që ka të bëjë me kufijtë shtetërore dhe territorin tokësor e detar!