Qershia mund të konsiderohej deri para pak ditësh “molla e ndaluar” e kësaj vere. Kjo për shkak të çmimit të lartë, që pranohet si nga konsumatorët edhe nga tregtarët.

“Unë qershinë për zotin nuk e kam provuar këtë verë. Nuk e marr dot. 200 dhe 150 lekë ishte sot, ka qenë me 300 apo 400 lekë më parë. Nuk e përballoj dot”,– thotë një pensioniste.

“Çmimet janë të larta përgjithësisht këtë verë. Qershia këtë vit nuk ka zbritur nën 200 lekë. Vjet e kam blerë me çmim më të ulët, kemi bërë dhe reçel me të”,- shton një pensionist.

Paraditen e sotme, në markatën e fruta perimeve të Durrësit ajo tregtohej me 2 çmime të ndryshme, 200 dhe 150 lekë, në varësi të cilësisë. Ulja e çmimit ka bërë që konsumatorët ta blenë në sasi më të mëdha, sesa ditë më parë.

Megjithëse jemi në muajt e verës, frutat e perimet nuk janë dhe aq të lira për konsumatorët, sidomos për pensionistët, që prej muajsh blejnë produktet e shportës në sasi më të kufizuara.

“Edhe qepa është e shtrenjtë, ja mezi blejmë ca kokrra. Duhet qepa për bërë gjellën, s’mund të rrimë pa e blerë”, thotë një pensioniste.

Fuqia blerëse është në nivele pak më të larta, kjo dhe për shkak të shtimit të popullsisë prej sezonit turistik dhe kthimit të emigrantëve  sinkron

Gjatë muajit qershor mos dalja e produktit vendas në treg dhe malli i importit diktonte çmimin e produkteve bujqësore. Njëkohësisht rritja e çmimeve nga tregtarët e shumicës u shoqërua me çmime më të larta, sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

M.B.