Ka rezultuar e pafat eksperienca e xhudistit shqiptar Indrit Cullhaj në Lojërat Olimpike të Tokios.

Aventura e tij përfundoi me dëmtim, me xhudistin kuqezi që garonte në kategorinë deri në 66 kilogram dhe që u detyrua të dorëzohej pas 11 minutash në përballjen me kostarikanin Sancho.

Cullhaj, siç raporton Komiteti Olimpik Shqiptar, e nisi me besim ndeshjen e tij, duke bërë kapje të sigurta dhe duke mos i dhënë për asnjë moment shansin kundërshtarit, por edhe pse krijoi epërsi nuk ia doli dhe e humbi takimin pasi në kapjen e fundit shqiptari pësoi një dëmtim duke u shoqëruar me barelë jashtë tapetit.

Cullhaj është vënë menjëherë nën kujdesin e ekipit mjekësor dhe do të kryeja ekzaminimet e nevojshme për të mësuar shkallën e dëmtimit.

Gjatë natës shqiptare garoi në Tokio edhe qitësja Manuela Delilaj, e cila vendosi rekord kombëtar në garën e 10 metrave pistoletë me ajër.

Qitësja që garonte në baterinë e parë, grumbulloi 565 pikë duke u pozicionuar e 37-a në Olimpiadë nga 53 sportistë pjesëmarrës në këtë disiplinë. Manuela Delilaj do të garojë sërish në datën 29 korrik në garën e 25 metrave pistoletë precizion.