Kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish- kryeministri Ramush Haradinaj të mërkurën në mbrëmje kanë darkuar së bashku në një nga restorantet e Prishtinës. Siç shkruan “Zëri”, ata kanë darkuar në një nga restorantet e kryeqytetit.

Ky takim i “dy kryeministrave” vjen në kohën kur ka filluar të përflitet në opinion se do të ketë një koalicion të mundshëm ndërmjet dy partive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkohë zyrtarë të AAK-së, të kontaktuar nga gazeta, nuk e kanë pohuar e as mohuar darkën ndërmjet Thaçit e Haradinajt. Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi ka thënë të mos jetë në dijeni të këtij takimi.

Ndryshe, partia e Ramush Haradinajt tash e sa kohë është përafruar me partinë e Thaçit. Madje, nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala është emëruar si koordinator i delegacionit të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin delegacion e kryeson kryeministri Thaçi.

Që nga lirimi i Ramush Haradinajt nga Tribunali i Hagës si i pafajshëm është përfolur për hyrjen eventuale të AAK-së në qeverisje, por një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. AAK-ja vazhdimisht ka përsëritur se kushti i tyre për bashkëqeverisje me PDK-në është posti i kryeministrit, derisa zyrtarë të PDK-së thonë se Kosova e ka kryeministrin.

Sipas burimeve në PDK, koalicioni ndërmjet dy partive të dala nga lufta nuk do të mund të ndodh para përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor në PDK, për shkak të rrezikut që mund t’i kanoset partisë më të madhe në vend nga rebelimi i mundshëm i disa prej zyrtarëve të saj, të cilët mund t’i humbin postet qeveritare me hyrjen e AAK-së.

Kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, të mërkurën në mbrëmje kanë darkuar së bashku në një nga restorantet e Prishtinës.

Ky takim i tyre, shkruan “Zëri”, vjen në kohën kur ka filluar të flitet në opinion se do të ketë një koalicion të mundshëm ndërmjet dy partive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.