Ndodhi më shpejt nga sa ishte parashikuar. Dejvi Bregu i ka dhënë lamtumirën Teutës para ndeshjes së kthimit me Sherif Tiraspolin, që do të luhet të martën në orën 19:00. E shtuna ka qenë dita e fundit që “Këpuca e Artë” e Superiores është stërvitur me durrsakët.

Pasi është përqafuar me të gjithë shokët e skuadrës, pjesëtarët e stafit dhe drejtuesit e klubit, Bregu ka bërë një mesazh emocionues në profilin e tij në “Instagram”, duke konfirmuar largimin nga Durrësi për një aventurë të re jashtë Shqipërisë.

Autori i 16 golave në kampionatin e fundit do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi për një tjetër sezon me klubin e Ligës së Parë turke, Boluspor, aty ku aktualisht luan portieri i Kombëtares, Gentjan Selmani, ndërsa në të kaluarën janë aktivizuar edhe kapiteni i Teutës, Renato Arapi, si dhe ish-mesfushori shkodran, Gilman Lika.

Paga e vlonjatit shkon rreth 15 mijë euro në muaj, ndërsa në kontratë parashikohen edhe bonuse për golat dhe objektivat e klubit. Mësohet se për pak ditë Bregu do të pushojë pranë familjes në Vlorë dhe gjasa janë që deri në datën 20 korrik, të udhëtojë drejt Turqisë për të bërë edhe prezantimin zyrtar me skuadrën e Bolusporit.

“Pas një viti të mbushur plot me emocione, që nuk do t’i harroj kurrë, mbyllet një cikël shumë i bukur për mua me ekipin e Teutës. Me gjithë zemër dua të falënderoj presidentin Hasanbelliu për respektin e treguar ndaj meje, stafin teknik për përkushtimin e tyre dhe të gjithë lojtarët dhe shokët e mi, që besuan në çdo moment për objektivin e shpalljes kampion dhe që sot është bërë realitet. Shpresoj të kemi sjell sado pak lumturi për tifozët e këtij klubi, pas kohëve të vështira në qytetin e Durrësit vitin e kaluar… Ky titull shkon për ju pas 27 viteve pritje! E meritoni”, shkruante Bregu për largimin nga Teuta, ku dha një kontribut shumë të madh për shpalljen kampion të ekipit durrsak, në një kampionat që u vendos vetëm në javën e fundit.

Pas mesazhit të Bregut në rrjetet sociale, më pas erdhi edhe reagimi i klubit të Teutës përmes faqes zyrtare në “Facebook”. Klubi durrsak shprehu mirënjohje për atë që dha sulmuesi me fanellën e Teutës.

“Faleminderit perzemersisht Dejvi Bregu për këtë vit emocionues. Megjithatë, jo pa trofe, por me trofeun e kampionatit dhe të golashënuesit. Kontributi i madh i Dejvit per klubin dhe fanellen e Teutës do shkruhet me shkronja te arta. Ne historinë e KF Teuta, emri i tij do permendet gjithmonë. I jemi mirenjohes gjithmonë Dejvit! Shume suksese ne vazhdim kampion!”, shkruhej në faqen e klubit.

Në sezonin 2020-2021 Bregu luajti me Teutën 36 ndeshje në kampionat (3050 minuta), 3 në Kupë dhe 1 në Ligën e Kampioneve. Në total, në të tria kompeticionet arriti të shënonte 17 gola.