Statuja e mbretëreshës së muzikës “Rock ‘n’ Roll” Tina Turner nuk gjen qetësi. Statuja e cila bën pjesë në kuartetin e figurave të famshme të muzikës që ndodhet në shëtitoren “Taulantia” të Durrësit është dëmtuar sërish nga persona ende të paidentifikuar.

“DurrësLajm” mëson se Agjencia e Parqeve Urbane pasi konstatoi dëmtimin e statujës një ditë më parë e ka hequr dhe e ka dërguar për restuarim në një fonderi në kryeqytet.
Këto janë dhe pamjet me dëmet aktuale që ka pësuar statuja e këngëtares legjendare, e cila pritet që pas riparimit të montohet sërish shumë shpejt po në vendin e saj.

Por kjo nuk është hera e parë që kryhen akte vandale ndaj këtyrë skultpurave që tërheqin vëmëndjen dhe kureshtjen e mijëra vizitorëve dhe turistëve në Durrës. Në shtator të vitit 2022, në kohën kur në shëtitore po zhvillohej “Moto fest”, statuja prej bronzi e Turnerit u thye duke i mbetur vetëm pjesa e këmbëve.

Edhe asokohe vepra e artit u riparua dhe iu bashkua 3 yjeve të tjerë të muzikës rock John Lennon, Bob Dylan dhe Mick Jagger.

Kuarteti i statujave të yjeve botërorë ka ndryshuar disa herë vend, që nga vitet 2010, kur u vendos fillimisht në ish-lulishten në hyrje të portit të Durrësit, e më pas në shëtitore në dy pozicione të ndryshme. Ky instalacion është vendosur për të dhënë idenë e lirisë tek të rinjtë e viteve ’80, e cila kulmoi me eksodin e famshëm në drejtim të vendeve perëndimore.