Pas denoncimit të bërë mbrëmjen e së premtes nga “DurrësLajm”, ku përmes pamjeve filmike u dëshmua ndotja ambientale përreth amfiteatrit antik, shkaktuar nga bizneset e zonës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i bashkisë.

Në një njoftim për shtyp, institucioni i qeverisjes vendore thekson se pika e grumbullimit të mbetjeve urbane është spostuar në një tjetër vend, ndërsa subjekti privat që “dëmtoi” imazhin e amfiteatrit me prigjet me kartonë të hedhura jashtë orarit të lejuar është ndëshkuar me masë administrative.

“Falenderojmë “DurrësLajm” për denoncimin dhe inkurajojmë mediat dhe qytetarët që të denoncojnë të gjitha shkeljet e ligjit që ata konstatojnë”,– thuhet ndër të tjera në reagim.

Reagimi i i plotë:

Sjellje e PATURP, e papërgjegjshme dhe e patolerueshme nga biznesi në qendër të qytetit, kur rregulloret janë të përcaktuara qartësisht për orarin dhe mënyrën e evadimit të çfarëdolloj mbetjeje.

Një qytet më i pastër nuk është në interes vetëm të bashkisë, por edhe biznesit e qytetarëve. Kjo nuk është vetëm ndotje për ambientin, por mbi të gjitha TURP për imazhin e qytetit tonë në sytë e turistëve, kur çdo ditë e natë bëhet një punë e pafund për të patur një Durrës më të pastër. 

Që nga sot pika do të hiqet duke informuar qytetarët të përdorin pikat më të afërta për mbetjet e tyre shtëpiake, ndërsa bizneset i ftojmë të marrin informacion të detajuar për mënyrën e evadimit të mbetjeve në këtë zonë.

Do të vijojmë punën tonë për të ndëshkuar ata që nuk zbatojnë ligjin dhe rregullat e nuk kanë respekt për punën e përbashkët! Falenderojmë “DurrësLajm” për denoncimin dhe inkurajojmë mediat dhe qytetarët që të denoncojnë të gjitha shkeljet e ligjit që ata konstatojnë.