Në ditën botërore të Shkopit të Bardhë, dy shoqata të verbërish kanë protestuar në qendër të Durrësit dhe para bashkisë për të drejtat e tyre.

Me thirrje dhe pankarta në duar “Duam të drejtat tona” “Na hiqni barrierat të jetojmë dhe ne si ju”, “Duam arsim, punë dhe dinjitet”, anëtarët e shoqatave “Të verbërit e Shqipërisë” dhe “Shpresë për të verbërit” kërkuan nga strukturat shtetërore zbatimin e kuadrit ligjor për statusin e tyre.

Kryetarja e degës së Durrësit Myzejen Shkoza ngriti para mediave shqetësimin e infrastrukturës publike, e cila nuk e favorizon fare këtë kategori shoqërore, ndërkohë që primare për ta mbetet dhënia e dëmshpërblimeve të prapambetura si dhe punësimi i të rinjve.

“Ne kemi fituar një gjyq për pagesat e prapambetura që nuk na janë kaluar. U bënë 3 vite që ne kemi fituar gjyqin dhe akoma nuk është ekzekutuar vendimi. Të rinjtë kanë mbaruar shkollat e mesme, kanë mbaruar universitete edhe kërkojnë punë. Për ato profile që kanë mbaruar, janë të aftë edhe pse iu mungon shikimi.”,- u shpreh Shkoza.

Ndërkohë, kryetari i shoqatës “Shpresë për të verbërit”, Saimir Farrici tregoi një rast konkret, të regjistruar vetëm një ditë më parë, kur anëtarët e kësaj shoqate janë ndjerë të bullizuar e nëpërkëmbur.

“Raste bullizmi ka plot. Një rast konkret ka qenë dje. Një grup të verbërish shkuam në bashkinë e Shijakut për të kontaktuar me kryetarin ose nënkryetarët e bashkisë për të denoncuar problemin që ne hasim në linjën e transportit urban Shijak-Durrës. Gjatë rrugëtimit për të shkuar atje, fatorino na ofendoi, na kërkonte që ne të paguanim lekët ose do të na zbriste poshtë dhe nuk pranonte zbatimin e ligjit. Dhe qytetarë të tjerë që ishin në autobus na fyen duke na thënë qorra dhe ofendime të tjera”,- tha Farrici.

Farrici përsëriti sërish kërkesat kryesore të të verbërve, të artikuluara edhe pak ditë më parë, para bashkisë Durrës.